Tematike

“17 Shkurti” shënon 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë

Zeqir Bislimi, Qamil Sylejmani dhe Mefail Xhelili është dashur të presin pleqërinë për ta vizituar gjithë Kosovën.

Këta tre të moshuar, së bashku me bashkëmoshatarët e tyre, kanë përfituar nga një projekt humanitar i realizuar nga bashkëfshatarët e tyre që jetojnë në Zvicër për t’i vizituar vendet e bukura që ka Kosova.

Ky është vetëm njëri prej projekteve me karakter humanitare që ka realizuar Shoqata humanitare “17 Shkurti” në Zvicër.

© albinfo.ch

Shoqata në fjalë kishte mbledhur të dielën rreth 200 persona, burra, gra, fëmijë e të rinj nga fshati Doborçani  i Gjilanit për të festuar pavarësinë e Kosovës. Ata synojnë ta shndërrojnë këtë në traditë dhe të jenë shembull për të tjerët. 

“Jemi ardhur këtu për ti festuar dy festa, pavarësinë e Kosovës dhe 2-vjetorin e themelimit të shoqatës. Kjo është diçka shumë e veçantë për ne banorët e Dobërçanit, pasi që jo vetëm që u ndihmojmë bashkëfshatarëve tanë në Kosovë, por edhe përfitojmë, nga se fëmijët tanë njoftohen në mes vete”,  ka deklaruar Ambelije Thaçi , të cilës iu dha një mirënjohje për kontributin e dhënë në këtë shoqatë. 

© albinfo.ch: Kryetari i Shoqatës, Visar Kryeziu

Ndërsa kryetari i Shoqatës, Visar Kryeziu, foli për projektet që kanë realizuar deri tashti.

Ai tha se me sukses kanë arritur t’ i përfundojnë 35 projekte, të cilat kanë ndihmuar bashkëfshatarët e tyre. 

“Shoqata tashmë ka bërë 2 vjet që nga themelimi i saj dhe gjate këtyre dy vjetëve ka bërë shumë më shumë se ç’ kemi pritur. Në këtë mandat të kryesisë sa isha unë kryetar i saj shoqata ka realizuar gjithsej 35 projekte. Kjo do të thotë që shoqata jonë ka shtuar punën dhe projektet edhe më shumë. Për realizimin e këtyre projekteve gjatë gjithë kohës patëm mbështetjen tuaj dhe për këtë dua t’ ju falënderoj shumë”, ka deklaruar Kryeziu.

© albinfo.ch

Në manifestime të tilla, ku mblidhen shqiptarët në diasporë, tashmë është bërë traditë dhe e pandashme muzika, e cila edhe këtu argëton të pranishmit.

Por, e veçantë ishte loja shpërblyese, nga e cila fituan familje, të cilat asnjëherë më parë nuk e kishin ndihmuar shoqatën në projektet e tyre.

© albinfo.ch