Kosova

Kusari-Lila: Shtëpitë e gatshme prej druri “Made in Kosova” po zgjerohen në tregjet ndërkombëtare

Shtëpitë e gatshme prej druri të prodhuara në Kosovë po vazhdojnë të depërtojnë fuqishëm në tregjet ndërkombëtare, me eksport kryesisht në Evropë dhe Amerikë, sipas postimit të publikuar nga Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.

Në një takim me Nazmi Mehmetaj, kryetar i bordit të Klasterit të Ndërtimeve të Parafabrikuara dhe pronar i kompanisë Greenhouse, dhe me drejtoreshën ekzekutive Sytrime Dervisholli, u diskutua rreth zhvillimit të këtij sektori, i cili po shënon rritje të vazhdueshme.

Sfida kryesore mbetet mungesa e hapësirave për prezantimin e produkteve, si demo-parqet dhe zonat demonstrative, të cilat mund të ndihmojnë në zgjerimin e mëtejshëm të industrisë.

Ministrja Kusari-Lila ka theksuar rëndësinë e uljes së deficitit tregtar përmes forcimit të prodhimit vendor dhe zhvillimit të industrisë. Zonat ekonomike të gjelbra janë në qendër të këtij vizioni, duke kombinuar prodhimin me qëndrueshmërinë, mbrojtjen e mjedisit dhe riciklimin.

Synimi sipas saj është të fuqizohet kapitali vendor, të krijohen klasterë të qëndrueshëm industrialë dhe të forcohet bashkëpunimi institucional për një të ardhme më të zhvilluar ekonomike.