Lajme
2 Korriku, hap i rëndësishëm drejt mëvetësisë së Kosovës
Më 2 Korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës i asaj kohe kishte shpallur Deklaratën Kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë. Kjo ditë e cilësuar si historike, është kujtuar të shtunën nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë rast ka thënë se në kohën kur filloi shpërbërja e Federatës jugosllave, nga ambiciet hegjemoniste të diktatorit Sllobodan Millosheviq, një ndër veprimet më të rëndësishme politike të delegatëve të Kuvendit të Kosovës, më 2 Korrik 1990, ishte shpallja publike e Deklaratës Kushtetuese, shkruan Radio Evropa e lirë.
«Duke kujtuar 26-vjetorin e këtij akti të rëndësishëm, shprehim konsideratë të lartë për delegatët e asaj kohe”, është shprehur veç tjerash Thaçi në profilin e tij në Facebook.
Ndëersa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990, e shpallur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, e ka cilësuar një akt me vlera të veçanta.
Mustafa, duke folur për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, me anë të një postimi në Facebook, është shprehur se kjo deklaratë i parapriu pavarësimit dhe çlirimit të vendit.
“Është ky një akt me vlera të veçanta historike, i shpallur në rrethana dhe kohë tepër të vështira, nga njerëz të vendosur dhe të përkushtuar për vendin e tyre», ka shkruar Mustafa.
Kurse, në një solemnitet të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka theksuar se në këtë Kuvend janë marrë vendime të rëndësishme dhe historike për vendin.
Ai ka thënë se njëri nga këto vendime të rëndësishme, ka qenë Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut e vitit 1990. Sipas Veselit, deklarata ishte një moment i forcimit të mëtutjeshëm të unitetit kombëtar në Kosovë, rreth vizionit që duhej ndjekur vendi në ato vite të kthesave të mëdha.
“2 Korriku i vitit 1990, i lidhur me qershorin e vitit 1999 dhe 17 Shkurtin e vitit 2008, janë një histori e Kosovës që janë të pandara me njëra-tjetrën dhe ne duhet të jemi krenarë. Po në të njëjtën kohë qytetarët tanë po na tregojnë se ne nuk duhet të kënaqemi vetë me historinë, por të punojmë shumë e më shumë”, ka deklaruar Veseli.
Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur atëherë si njësi e veçantë, në kuadër të Federatës së atëhershme jugosllave.
Për drejtues të Kuvendit të asaj kohe, deklarata e pavarësisë u pasua edhe me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 Shtator të vitit 1990 në Kaçanik.
Nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Iljaz Ramajli, ka thënë se Kosova sot ndodhet para shumë sfidave dhe se sipas tij, institucionet duhet të bëjnë më shumë për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Një shtet i ri siç është Kosova, një shtet i cili ka plot probleme ekonomike, sociale e të tjera, duhet ta çoni përpara dhe qytetarëve të Kosovës t’u siguroni një jetë më të mirë, një jetë më të sigurt dhe më të dinjitetshme”, është shprehur Ramajli.
Përpjekjet e shqiptarëve në Kosovë, popullatës shumicë për krijimin e shtetit të pavarur, datojnë prej shumë kohësh, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve ‘80 dhe fillimi i viteve ’90, atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
Muaji shkurt i vitit 1989 u karakterizua me grevën e minatorëve të kompleksit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve besohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.
Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Ibrahim Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës dhe formon Qeverinë në ekzil.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Ministri Pfister: “30 avionë nuk janë të mjaftueshëm në planin afatgjatë” "Do të ishin të mjaftueshëm vetëm për vendosje afatshkurtra, por jo për mbrojtje të qëndrueshme"... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Përleshje në mes të shqiptarëve në Romanshorn, shtatë të plagosur -
Rrjedhje klori në pishinë në Etoy, Vaud – 3 të shtruar në spital me helmim -
Vaud: Sindikatat, të pakënaqura me lëshimet e bëra nga qeveria










