Kulturë

Brahim Avdyli

Shkrimtar

Në ambientet e bibliotekës “Pestalozi” në Zürich, në organizim të Shoqatës së Kijuesve Shqiptarë të Zvicrës është mbajtur promovimi letrar “Krijimtaria letrare e Brahim Avdylit në Zvicër dhe disa vlera të saj”, ku janë përuruar veprat e tij “Qielli i paprekur” dhe “Vetëvrasja e një poeti”.

Në këtë organizim kulturor-artistik, folësit kanë çmuar lart kontributin e Brahim Avdylit në fushën e letrave shqipe. Sipas tyre, vepra e Avdylit në poezi pasqyron shumë dimensione të jetës dhe mbijetesës së shqiptarëve në mërgatë.

Të pranishmit në këtë aktivitet kulturor i ka përshëndetur edhe Suela Jorgaqi, drejtuese e bibliotekës “Pestalozzi”, duke vlerësuar këtë aktivitet  të rëndësishëm, ngase promovimi i veprave të autorit Avdyli po bëhet në ambientet e kësaj biblioteke.

Referuesi i kësaj mbrëmje letrare, Nexhat Maloku, njëherësh kryetar i LAPSH-it në Zvicër, ka veçuar disa anë të veprës së tij letrare dhe të personalitetit të Brahim Avdylit.

Maloku para artdashësve të librit të mbledhur në Cyrih solli një analizë më të thuktë të veprave letrare të Avdylit.

“Një prej poetëve më të spikatur dhe më karakteristik të mërgatës shqiptare në Zvicër është pa dyshim Brahim Avdyli. Karakteristik, sepse pjesën më të gjatë dhe më të frytshme të jetës së tij e ka kaluar dhe po e kalon ende në mërgim; i spikatur, sepse vepra e tij poetike tridhjetëvjeçare, me vlerat e saj ideoartistike, ia jep këtë epitet pa pikë dyshimi”, tha në fillim të promovimit Maloku.

“Për dallim nga poetët e tjerë të gjeneratës së vet, Brahim Avdyli do të detyrohet të mërgojë përgjithnjë. Kjo tragjedi e tij individuale do ta ndikojë krijimtarinë e tij poetike në mënyrë të jashtëzakonshme. Kurse lexuesve do t’u japë krijime të bukura artistike, pikërisht edhe nëpërmes kësaj tragjedie të tij personale, e cila nuk ishte e vetme, por ishte bërë tragjedi popullore”.

“Vetëm një shpirt poetik i kalibrit të Brahim Avdylit do të mund të përçojë aq fuqishëm nëpërmes vargjeve poetike te lexuesit jetën e mërgimtarëve shqiptarë, vështirësitë e tyre në tokën e huaj”, shprehet Maloku.

“Poezia e Brahim Avdylit është refleks i krajatave jetësore të njeriut, i cili fatin e vet e ka lidhur përjetësisht me fatin e popullit të vet. Sikurse te Din Mehmeti, Azem Shkreli dhe poetët e tjerë të këtij profili, subjekti lirik është këpuja që lidh të përgjithshmen me individualen, shoqëroren me intimen dhe që krijon një baraspeshë midis tyre, tipar ky që ky poet e ruan pak a shumë që nga libri i parë deri te libri i fundit për të cilin po bëjmë fjalë”, sjell Nexhat Maloku vështrimin e kritikut të njohur të letërsisë sonë, dr. Agim Vinca, për poezinë e Brahim Avdylit.

Në krijimtarinë e gjithëmbarshme poetike të Brahim Avdylit një vend të spikatur e zënë pa dyshim poezitë me motiv kurbeti.

“Nga poetët e mërgatës shqiptare në Zvicër, Brahim Avdyli ka arritur si rrallë kush që të portretizojë kurbetçarin nëpërmes figurave të goditura artistike dhe njëkohësisht të sjellë shpirtin e tij të trazuar, vetminë, mllefin dhe vuajtjen e pakufishme për atdheun”, thotë Maloku.

“Mërgimi, para se të jetë një jetë e qetë, është një jetë e mundimshme, është një torturë e mendjes, e ndjenjave, e idealeve “të tradhtuara”, është shkëputje nga trungu, është theqafje “atje ku bren miza hekur”, shprehje popullore kjo, të cilën poeti e fut me sukses në trungun harmonik të poezisë si dhe mjaft shprehje të tjera të marra nga gurra popullore”, shprehet Maloku në vështrimin e tij për poezinë e Brahim Avdylit.

Poeti Brahim Avdyli dëshiron që lexuesit të vet t’ia përcjellë me nota realiste jetën e kurbetçarit – jetën e tij – përvojën e tij në mërgim.

Në një numër të madh poezishë me temë mërgimin, që nga përmbledhja e parë “Në hijen e alpeve” e deri tek ajo e fundit “Baraspesha e humbur”, poeti Brahim Avdyli jep me nota të zymta fatin e mërgimtarit shqiptar udhëve të Evropës.

“Ky mërgimtar jo vetëm që vuan, është i papunë, nuk pranohet nga shoqëria vendëse, por bart mallin për vendlindjen, për gurët, për fëmijët e lindur e të paparë në Atdhe”, sjell Maloku fragmente nga poezitë e Avdylit.

“Në këto krijime poetike të shkruara në një periudhë të rëndë shpirtërore, kur poeti është i detyruar të punojë punë të rënda fizike në Slloveni, e më vonë të kërkojë strehim në Zvicër, s’ka se si të mos shfaqen fjalët bosht, si dhembja, vetmia, malli, trungu i shkëputur, shqiponjë e mërguar, përbuzja, klithje nate etj., të cilat janë pjesë përbërëse e jetës së tij, e njëkohësisht edhe fati i qindra-mijëra refugjatëve shqiptarë të mërguar sidomos në periudhën e viteve ’90-a”, thekson Maloku.

“Poeti Brahim Avdyli nuk u ngjan poetëve të shumtë që dalin në ekzil për të krijuar në një ambient të qetë, pa andralla, pa halle për popullin prej nga vjen”, u tha mes tjerash në këtë promovim librash.

“Krijimtaria poetike e Brahim Avdylit tashmë zë një vend të merituar jo vetëm në kuadër të poezisë së mërgimit, që u krijua e krijohet në Zvicër, por edhe të letërsisë shqipe në përgjithësi”, tha Maloku.

Edhe vete Brahim Avdyli tha se krijimet e tij poetike janë vlerësuar jo vetëm nga lexuesit e shumtë, por edhe nga kritika letrare, duke përmendur disa nga çmimet me të cilat ishte shpërblyer autori.

Avdyli ka thënë se i kanë mbetur në dorëshkrim shumë vepra letrare, ndërsa disa prej tyre edhe i janë vjedhur. Ai ka kritikuar kritikët letrarë se janë më shumë subjektivë në trajtimin e veprave letrare.

Për veprimtarinë letrare të Brahim Avdylit kanë folur edhe Shefqet Dibrani, Ibish Neziri, Abas Fejzullahi, Rexhep Rifati etj.

Ky promovim i organizuar nga Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër është përcjellë edhe me lexim artistik të fragmenteve nga vepra poetike e Brahim Avdylit.

Sevdail Tahiri

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriBrahim Avdyli
  • Prejardhja:Morinë-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Rapperswil-Zvicër
  • Profesioni:Shkrimtar
  • Kontakti www.brahimavdyli.ch

  WHO’S WHO të tjera