Kosova
Zvicra ndan rreth 70 milionë euro për Kosovën, Kurti: Partneritet me histori të thellë dhe të ardhme të ndritur
Është lansuar zyrtarisht Programi i Bashkëpunimit të Zvicrës në Kosovë 2026–2029, i cili parasheh mbështetje financiare prej 64.5 milionë frangash zvicerane (rreth 70 milionë euro) për katër vitet e ardhshme, duke synuar forcimin e zhvillimit dhe stabilitetit në vend.
Programi, i harmonizuar me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, fokusohet në tri fusha kryesore: qeverisjen demokratike dhe paqen, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe tranzicionin e gjelbër, si dhe zhvillimin e barabartë njerëzor. Gjithashtu, do të vazhdojë edhe bashkëpunimi dypalësh në fushën e migrimit.
Në ceremoninë e lansimit mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke e cilësuar atë si më shumë se një marrëdhënie formale diplomatike.
“Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës nuk është një formalitet diplomatik. Është një partneritet me histori të thellë dhe një të ardhme të ndritur,” u shpreh Kurti në fjalimin e tij.
Ai kujtoi se Zvicra ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës pas vitit 2008, duke theksuar gjithashtu rolin e diasporës kosovare në ndërtimin e urave lidhëse mes dy vendeve.
Kurti vlerësoi edhe rezultatet e programit të mëparshëm 2022–2025, duke theksuar se mbi 10 mijë persona kanë përmirësuar punësimin, ndërsa 14 mijë të tjerë janë përfshirë në arsim dhe aftësim profesional. Sipas tij, këto ndërhyrje kanë sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe kanë ndikuar në rritjen e transparencës dhe cilësisë së shërbimeve publike.
Duke folur për programin e ri, ai theksoi se ai është i lidhur ngushtë me objektivat strategjike të Kosovës, përfshirë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030 dhe agjendën e integrimit evropian.
“Çdo frangë zvicerane, çdo orë ekspertize dhe çdo shkëmbim politikash është një kontribut në rrugëtimin tonë evropian,” deklaroi Kurti.
Programi është zhvilluar përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe përfshin disa institucione zvicerane, si Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Divizioni për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës (FDFA), Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO) dhe Sekretariati Shtetëror për Migrim (SEM).
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Kurti e cilësoi këtë bashkëpunim si një përgjegjësi të përbashkët për zbatim me përkushtim dhe rezultate konkrete për qytetarët, duke shpallur zyrtarisht të hapur Programin e Bashkëpunimit të Zvicrës në Kosovë 2026–2029.
Këtë ngjarje e ka vlerësuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Mimoza Kusari e cila tha se Zvicra mbetet një partner strategjik i Kosovës në procesin e zhvillimit dhe forcimit të institucioneve demokratike dhe ekonomisë së vendit.
Ngjarja u vlerësua si e rëndësishme edhe në aspektin diplomatik dhe ekonomik, pasi në të njëjtën ditë Kuvendi i Kosovës miratoi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s, duke hapur mundësi të reja për integrim dhe bashkëpunim ndërkombëtar të Kosovës.
E-Diaspora
-
Alis nga Eurovisioni: “Një ëndërr që po e jetoj” Përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovision 2026 ndau emocione nga ceremonia hapëse “turquoise carpet”... -
Suedi: Arrestohen tre të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit shqiptar -
Kurti: Diaspora dhe bashkëpunimi me Gjermaninë, çelës për zhvillim ekonomik -
Kanada
Nga Kosova në Parlamentin e Kanadasë, një rrëfim suksesi dhe vlerësimi -
Zvicër
“Një gjuhë për dhimbjen”, historia e një familjeje kosovare nominohet për çmimin prestigjioz të gazetarisë në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Zhduket pa gjurmë 26-vjeçarja në Alpet e Bernës, familja në ankth apelon publikisht: “Vazhdoni ta kërkoni Abrarin!” Studentja e mjekësisë u zhduk para 10 ditësh në Alpet e Bernës. Familja e saj lutet:... -
Studimi në Zvicër: Testet e vozitjes për të moshuarit mbi 75 vjeç nuk janë të besueshme -
Pse Zvicra u bë kaq e pasur -
Gratë mbi 50 vjeç po nënvlerësohen në tregun e punës në Zvicër -
Cilët sektorë preken nga iniciativa kundër emigracionit











