Futboll

Vrioni rikthehet në Austri, sulmuesi kuqezi firmos me Wolfsberger AC

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Giacomo Vrioni, ka nisur një aventurë të re në karrierë duke u transferuar në Austri. Ai është zyrtarizuar si lojtari më i ri i Wolfsberger AC, skuadër që militon në elitën e futbollit austriak.

Klubi njoftoi afrimin e 27-vjeçarit përmes rrjeteve sociale, duke bërë të ditur se ai vjen nga Çezenës në Serinë B italiane. Vrioni, i lindur në Itali, ka luajtur fillimisht me ekipet zinxhir të Italisë, por më pas ka zgjedhur të përfaqësojë Kombëtaren shqiptare.

Ky nuk është një kampionat i panjohur për sulmuesin, pasi më herët ai ka spikatur në Austri me WSG Tirol, ku në sezonin 2021–2022 shënoi 19 gola dhe u shpall një nga golashënuesit më të mirë të ligës, trnsmeton albinfo.ch.

Gjithashtu, ai ka provuar eksperiencë edhe në SHBA, me New England Revolution dhe CF Montreal, përpara se të kthehej shkurtimisht në Itali.

Tani Vrioni rikthehet sërish në Bundesligën austriake, ku ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Wolfsberger AC, me synimin për të lënë sërish gjurmë në sulm.