Kosova

KQZ në fazën përfundimtare të numërimit, votat me postë pritet të numërohen edhe për disa ditë

Përfundon numërimi në përfaqësitë diplomatike dhe po mbyllet procesi në Prishtinë, ndërsa sfida e fundit mbeten mijëra vota nga diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hyrë në fazën përfundimtare të procesit të numërimit të votave, ndërsa tashmë pjesa më e madhe e procedurave zgjedhore është drejt përmbylljes, transmeton albinfo.ch.

Në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi në përfaqësitë diplomatike, ndërsa gjatë ditës pritet të përfundojë edhe numërimi në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë.

Sipas tij, me përfundimin e procesit në kryeqytet, do të mbyllet verifikimi i rezultateve dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në të gjitha komunat e Kosovës.

Megjithatë, procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar plotësisht. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve kanë mbetur për t’u numëruar fletëvotimet nga votimi përmes postës, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Fokusi kryesor tashmë është te votat e ardhura nga diaspora përmes postës, të cilat pritet të kenë ndikim në rezultatin përfundimtar të partive dhe kandidatëve.

Elezi bëri të ditur se numërimi i këtyre votave nuk do të përfundojë brenda një dite dhe se procesi do të zgjasë edhe për disa ditë të tjera. Kjo për shkak të numrit të madh të pakove postare që duhet të verifikohen dhe numërohen sipas procedurave të parapara.

Sipas të dhënave të KQZ-së, rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar përmes postës, duke e bërë këtë një nga proceset më voluminoze të votimit nga diaspora deri më tani.

Përderisa numërimi i votave të rregullta po shkon drejt përfundimit, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të varen edhe nga përfundimi i numërimit të votave me postë, proces që pritet të vazhdojë gjatë ditëve në vijim./Albinfo.ch