Feja

Censura e heshtur ushqen spiralen e mosndëshkimit

Me paraqitjen e dosjes së saj “Kurthi i xhihadit”, albinfo.ch është ballafaquar me ngurtësinë e disa familjeve të prekura nga ky fenomen, të cilat flasin për frikën e tyre nëse u tregojnë medieve rrethanat në të cilat djali, vajza apo vëllai i tyre ka rënë peng i mekanizmave të rekrutimit të xhihadit.

Kur flitet për të drejtat e lirisë së shprehjes, menjëherë kërkojmë ndihmë apo mbështetje pranë Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut (UDHR), sepse liria e shprehjes nuk është vetëm e rëndësishme në vetvete, por gjithashtu thelbësore për ushtrimin e të drejtave të tjera të njeriut.

Në nivelin personal liria e shprehjes mbetët thelbësore për zhvillimin dhe dinjitetin e çdo individi. Falë kësaj lirie, individët janë në gjendje të kuptojnë më mirë mjedisin e tyre dhe shoqërinë në të cilën jetojnë. Falë kësaj lirie ata mund të shkëmbejnë lirisht idetë dhe informacionet e ndryshme të përditshmërisë së tyre. Fuqizimi i lirisë së shprehjes ndërton një shoqëri paqësore, në të cilën shkëmbehen lirisht të gjitha informacionet në lidhje me mjedisin e tyre. Prandaj edhe pohohet se niveli i lirisë së shprehjes tregon pashmangshmërisht për cilësinë e një shoqërie. Ajo tregon gjithashtu sa ndihen të sigurt dhe të respektuar shtetasit kur shprehin mendimin e tyre. Pa dashur të analizoj çështjen e rëndësisë së lirisë së shprehjes për një popullatë, dua të cek se kjo liri bëhet edhe më thelbësore kur bëhet fjalë për përmirësimin e cilësisë së qeverisjes dhe progresit qoftë ekonomik apo social të një vendi.

Në një demokraci niveli i debatit të lirë në dhe ndërmjet personave me ide fetare të ndryshme zbulon pikat e forta dhe dobësitë e një shoqërie. Pavarësisht ndjeshmërisë së temës, siç mund të jetë ekstremizmi fetar, cenimi i lirisë së mendimit dhe shprehjes në lidhje me fe nuk mund të jetë e pranueshme nga një shoqëri. Nëse të gjithë mund të shprehin atë që mendojnë pa frikë dhe nëse mediet janë të lejuara të raportojnë se çfarë po zihet në një shoqëri, atëherë shpresa për një zhvillim të mirëfilltë shpëton.

Pra, i ashtuquajturi “treg i ideve apo opinioneve” duhet të mbetët i hapur, pavarësisht rrethanave dhe kurtheve ekstremiste. Me trajtimin e lirshëm të dukurive politiko-fetare dhe pasojat e tyre qoftë pozitive apo negative, mediet kontribuojnë në artikulimin dhe ndriçimin e tyre. Ato gjithashtu lejojnë gazetarët dhe aktivistët të nxjerrin në pah çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe shkeljet e të drejtave të njeriut dhe shtyn bindjen e qeverisë për të ndërmarrë veprime përkatëse.
Për të gjitha këto arsye, liria e shprehjes dhe liria e informacionit janë të njohura nga komuniteti ndërkombëtar si të drejtat themelore të njeriut që duhet mbrojtur po aq sa çështjet kombëtare.

E drejta e lirisë së shprehjes nuk mund të vlejë vetëm kur informacionet apo idetë në përgjithësi konsiderohet se janë të dobishme apo të sakta për një grup. Ajo gjithashtu përfshin temat e ndjeshme apo tronditëse. Fakti i thjeshtë se ajo pengon një pjesë të shoqërisë dhe se konsiderohet e pasaktë nga një pjesë e shoqërisë, nuk mund të justifikojë censurën.

Pothuajse të gjithë i drejtohen medieve (të cilët nganjëherë konsiderohen nga politologët si një organ mbikëqyrës publik) për të kuptuar më mirë dukuritë e shoqërisë së tyre. Prandaj, edhe albinfo.ch luan një rol kyç në ushtrimin e lirisë së informimit dhe lirisë së shprehjes. Me paraqitjen e dosjes së saj “Kurthi i xhihadit”, albinfo.ch është ballafaquar me ngurtësinë e disa familjeve të prekura nga ky fenomen, të cilat flasin për frikën e tyre nëse u tregojnë medieve rrethanat në të cilat djali, vajza apo vëllai i tyre ka rënë peng i mekanizmave të rekrutimit të xhihadit. Me trajtimin e një dosjeje të tillë, në dy meomente, albinfo.ch u detyrua të veprojë në kundërshti me politikën redaksionale të sajë (për sigurinë e disa kolegëve). Kjo dëshmon dhe vë në pah se censura e heshtur mbretëron në lidhje me këtë fenomen. Pasoja? Kufizimi i çdo forme ndikimi apo veprimi të shoqatave, qeverive dhe opinionit vendor. Familjet e prekura nga ky fenomen duket të jenë të shtypura seriozisht nga tirania e mendimit, e paragjykimit dhe e përjashtimit të tyre nga shoqëria.

Shtypi mbetët një nga burimet më të vjetra dhe më të përhapura kur bëhet fjalë për informacionin dhe debatin. Në qoftë se një shoqëri pranon kufizimin e saj, atëherë cenimi i heshtur i pavarësisë së mendimit dhe besueshmërisë bëhet i pashmangshëm.

Censura të tilla ushqejnë në afat të mesëm një spirale të mosndëshkimit si dhe në afat të gjatë, pse jo edhe sulmet e dhunshme kundër individëve, të cilët përpiqen të vënë në pah dukuritë shqetësuese të një shoqërie. Pra, të mos anashkalohet debati rreth lirisë së shprehjes, sidomos kur bëhet fjalë për zhvillimet ekstremiste/radikal në gjirin e një shoqërie, një luftë e heshtur që duhet të përditësohet rregullisht si kusht i fuqizimit të një demokracie.