Literaturë
Nga Brukseli në Hagë, rrugëtimi i një libri që kërkon përgjigje
“Padrejtësinë më së shumti e ndjejnë ata që e kanë përjetuar vetë”, tha autori Ibish Neziri në Cyrih, duke prezantuar librin e tij të dërguar në Parlamentin Evropian, Këshillin e Evropës dhe Dhomat e Specializuara
Më 14 qershor 2026, në sallën e GZ Seebach në Cyrih, Shoqata PARANDALO organizoi promovimin e librit “DREJTËSIA PA LLOGARIDHËNIE – Raporti Marty, Dhomat e Specializuara dhe deformimi i drejtësisë”, të autorit Ibish Neziri.
Promovimi mblodhi bashkatdhetarë, intelektualë, veprimtarë dhe personalitete të jetës publike shqiptare në Zvicër, duke u shndërruar në një forum diskutimi mbi drejtësinë, kujtesën historike dhe trajtimin e luftës çlirimtare të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Panelistë në këtë promovim ishin recensenti Mr. sc. Bedri Zyberaj, Dr. Xhevat Hasani dhe vetë autori Ibish Neziri, ndërsa hapjen dhe moderimin e aktivitetit e bëri Fatmir Salihu.
Me praninë e tyre e nderuan këtë promovim Vigan Berisha, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani, këshilltare në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, Fahredin Bunjaku kryeimam në xhaminë shqiptare “Shtëpia e Paqes”-Cyrih si dhe shkrimtarë, mjekë, veprimtarë të çështjes kombëtare, miq të autorit dhe anëtarë të Shoqatës PARANDALO.
Gjatë fjalimeve, panelistët vlerësuan lart veprën e autorit Ibish Neziri, duke theksuar se libri paraqet një analizë të detajuar dhe kritike mbi Raportin Marty, Dhomat e Specializuara dhe mënyrën se si, sipas autorit, është deformuar drejtësia gjatë proceseve që lidhen me luftën e Kosovës.
U theksua se libri trajton zhvillimet që nga themelimi i Gjykatës së Hagës e deri te funksionimi i Dhomave të Specializuara, duke ngritur çështje që lidhen me transparencën, përgjegjësinë dhe llogaridhënien institucionale.
Në fjalën e tij, autori Ibish Neziri tha se angazhimi i tij për këtë temë buron nga përcjellja e vazhdueshme e proceseve gjyqësore që nga themelimi i Gjykatës së Hagës, si dhe nga përvoja personale me padrejtësinë.
“Jam përpjekur ta përcjell punën e Gjykatës së Hagës jo vetëm në këtë rast, por që nga fillimi i saj. Mendimi im është se çështja e shqiptarëve në Gjykatën e Hagës ka përfunduar me rastet Limaj dhe Haradinaj, mirëpo më pas janë krijuar raste të reja, me vendime politike, me veprime politike dhe me ndikime të ndryshme”, tha Neziri.
Duke folur për motivimin e tij për ta shkruar librin, ai shtoi: “Kam dëgjuar dikë të thotë se ëndrrat më të mira për lirinë shihen në burg. Nëse ëndrrat më të bukura për lirinë shihen në burg, atëherë edhe padrejtësitë më së shumti i ndjejnë ata që i kanë përjetuar në kurrizin e tyre. Unë jam njëri nga ata që kam duruar padrejtësinë në kurrizin tim, i kam provuar ato padrejtësi dhe natyrisht e kam ndjerë padrejtësinë që bëhet në Hagë. Kjo më ka shtyrë të merrem me këtë temë dhe t’i evidentoj shkeljet, sigurisht jo të gjitha, por ato më flagrantet.”
Autori bëri të ditur se pas botimit libri është promovuar edhe në Prishtinë dhe në Shkup, në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ai njoftoi se vepra është dërguar në një numër institucionesh ndërkombëtare dhe bibliotekash.
“Fillimisht kam dërguar 14 kopje në Parlamentin Evropian në Bruksel, më pas edhe një tjetër. Pesë libra janë dërguar në Dhomat e Specializuara në Hagë, njëri prej të cilëve është kthyer mbrapa. Shtatë ekzemplarë janë dërguar në Këshillin e Evropës në Strasburg, si dhe në bibliotekat zvicerane. Sot libri gjendet në Bibliotekën e Cyrihut, në Bibliotekën e OKB-së në Gjenevë dhe në Bibliotekën e Evropës Juglindore në Bernë”, tha ai.
Neziri tregoi gjithashtu se çdo dërgesë është shoqëruar me një letër përcjellëse, ndërsa libri është dërguar edhe tek persona që kanë qenë të përfshirë në proceset që lidhen me themelimin e Dhomave të Specializuara.
Ai theksoi se nga disa institucione evropiane ka marrë reagime dhe përgjigje zyrtare.
“Për kënaqësinë time ka pasur reagime nga Brukseli, përmes emailit nga Sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit Evropian, po ashtu edhe nga Drejtoresha e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe nga institucione të tjera. Tani, si e vlerësojnë ata çështjen e librit nuk e di, por do të doja që sadopak ky libër të ketë ndikuar në thirrjen e ndërgjegjes tek njerëzit tanë dhe të ketë nxitur një shqyrtim të pozicioneve të atyre që bartin përgjegjësi në Hagë dhe të atyre që kanë marrë vendime për themelimin e kësaj gjykate”, u shpreh autori.
Në diskutimet që pasuan, pjesëmarrësit ngritën shqetësime lidhur me mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe me mungesën e mekanizmave të llogaridhënies, duke vlerësuar se çështje të tilla meritojnë debat të hapur publik dhe institucional.
Promovimi u pasurua edhe me një pikë muzikore nga pianistja Lumbardha Klinaku, e cila me interpretimin e saj i dha aktivitetit një dimension artistik dhe emocional.
Ngjarja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe me interesim të madh nga bashkatdhetarët, duke dëshmuar nevojën për debat, reflektim dhe angazhim intelektual mbi çështje që prekin të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën kolektive të kombit shqiptar.
Në përmbyllje të aktivitetit, themeluesi i Shoqatës PARANDALO dhe i plagosur i lirisë, Xhemal Selimi, përcolli një mesazh për rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe mbrojtjes së vlerave të luftës çlirimtare.
“Po të ishim të gjithë të prekur nga lufta, do ta vlerësonim vërtet lirinë dhe do t’i mbronim, si shoqëri, vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Më pas, Selimi i ftoi të pranishmit në koktejin e rastit, të përgatitur nga anëtaret dhe anëtarët vullnetarë të Shoqatës PARANDALO, ku pjesëmarrësit patën mundësi të vazhdonin diskutimet dhe të shkëmbenin mendime në një frymë miqësore.
Një falënderim i veçantë iu adresua Kadrush Sinanajt, anëtar i Shoqatës PARANDALO dhe punonjës në GZ Seebach, për mbështetjen e ofruar në organizimin e aktivitetit. Organizatorët falënderuan gjithashtu të gjithë kontribuuesit dhe pjesëmarrësit që me praninë dhe angazhimin e tyre ndihmuan në mbarëvajtjen e këtij promovimi.
E-Diaspora
-
Kur heshtja u thye nga një burrë: “Edhe unë kam qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës” Konferencë kushtuar dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e organizuar nga shoqata “Zëri i Gruas LIRA”,... -
Florim Kadriu: Solidariteti i shoqërisë fitoi kundër përhapjes së frikës -
Kusari-Lila: “SHE LEADS 2026”, një platformë që fuqizon gruan në ekonomi -
Në kujtim të Basil Schader-it (19.10.1951 – 10.05.2026) -
KQZ në fazën përfundimtare të numërimit, votat me postë pritet të numërohen edhe për disa ditë
Jeta në Zvicër
-
Marrja në pyetje e çiftit Moretti del jashtë kontrollit Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme Catherine Seppey u detyrua të pezullonte përkohësisht procedurat dhe të rivendoste rendin... -
Projekti “AHV 2030” i Këshillit Federal mund të dyfishojë pensionet -
Korrupcion në rastin e shantazhit në Ruag: A luajti SHBA ndonjë rol? -
Viktimat e zjarrit në Crans-Montana ende presin ndihmë -
Për pak përplasje trenash pasi makinistët e SBB-së nuk e dinin gjuhën e njëri tjetrit


















