Tematike

22 franga pension invalidor për Fatmir Mustafën!

Pas shumë peripecishë, shqiptarit të aksidentuar rëndë i njihet pensioni i invaliditetit prej 22.65 frangash në muaj!

Fatmir Mustafa, shqiptar nga Maqedonia, në vitin 2003 kishte ardhur në Zvicër, ku kishte kërkuar azil për shkak të përndjekjes politike, që, sipas tij, i pamundësonte punësimin atje. Azili i qe refuzuar dhe ai ishte dëbuar në vendlindje.

Pas tri vitesh, përmes trafikantëve, ai kishte ardhur sërish në Zvicër. Sërish kishte kërkuar azil dhe, pasi që i ishte refuzuar azili, ai, përmes avokatit të tij kishte bërë ankesë.

Në pritje të përgjigjes, Fatmiri kishte gjetur një punë në ndërtimtari. Kjo ka ndodhur në maj të vitit 2007. Punëdhënësi “Adler Gerüstebau” ishte nënkontraktues i kompanisë së madhe Roth Ag, e specializuar për heqjen e skeleve nga vendpunishtet e ndërtimit.

Fatmiri kishte të drejtë pune por punëdhënësi i tij duhej që, sipas procedurës, të bënte kërkesën formale për leje në entin përkatës. Ai nuk e kishte bërë këtë. Arsyetimi ishte se duhej që së pari punëtori i ri të dëshmohej në punë provuese e pastaj t`i nxirrej leja, shkruan gazeta Tges Anzeiger.

Por, Fatmir Mustafa nuk pati kohë për t`u dëshmuar. Në ditën e tretë të punës, në rrënimin e stadiumit të vjetër Letzigrund të Cyrihut, ai dhe kryepunëtori, u bënë viktima të një aksidenti të rëndë. Fatmiri, pësoi lëndime të shumëfishta trupore ndërsa kryepunëtori i tij vdiq në vend nga pasojat e aksidentit.

Nga kjo fatkeqësi fillojnë peripecitë e Fatmir Mustafën, jo vetëm me shëndetin e shkatërruar, por edhe me ligjin. Ai, pas rrëzimit nga skelja kkishte pësuar tyherje të shumta në pjesë të ndryshme të trupit dhe njëherësh bartte pasoja të rënda posttraumatike.

Por, krahas kurimit të tij në spitale të ndryshme, krahas një numri të madh operacionesh të cilave u qe nënshtruar, atij iu desh të përballej edhe me akuzat se mbante përgjegjësi për vdekjen e kryepunëtorit, bashkë me të cilin kishin pësuar nga rrëzimi i skelës.

Ai duhej të dinte për pasojat e veprimeve të tij gjatë punës. Por, mbrojtësi i tij thekson se firma që e kishte punësuar bartte përgjegjësinë që nuk i kishte dhënë fare punëtorit të ri as udhëzimet elementare të punës në skele.

Nga ana tjetër firma e heq fajin nga vetja, duke thënë se ka qenë kryepunëtori (tashmë i ndjerë) ai që është dashur ta udhëzonte punëtorin e ri.

Sido që të jetë, pesha e akuzës që i bëhej, ishte aq e rëndë për Fatmirin sa që ai disa herë kishte menduar të bënte vetëvrasje. Ndërsa pasojat e plagëve të marra ende shihen jo vetëm në trupin e tij por edhe në gjithë paraqitjen. Ai lë përshtypje të njeriut të traumatizuar dhe me labilitet psikik.

Fatmiri po mbahej në burgun për hetime, ndërsa kur kishte termine mjekësore, dërgohej me duar të lidhura në spital. Kjo kishte zgjatur 74 ditë.

Gati tri vite pas aksidentit, ndërkohë që jetonte nga Suva (sigurimi i të aksidentuarve), Fatmir Mustafës i njihet invaliditeti. Por tronditja e radhës i vjen atij pikërisht nga ky vendim: i ishte njohur një pension invaliditeti prej 22.65 frangash në muaj!

Një vendim i tillë, sipas mbrojtësit të tij, avokatit Meier, është një lojë e ulët e entit të sigurimeve të invaliditetit. Enti në fjalë, nga ana e tij e mbron qëndrimin se baza pensionale e Mustafës mbështetet vetëm në tri ditët sa ka punuar, gjegjësisht në të ardhurat e tij efektive që bëjnë gjithsej 660 franga.

Pra, duke qenë se ai me rastin e aksidentimit ende nuk e kishte pasur lejen formale të punës, ai nuk e gëzonte mbështetjen e kontratës kolektive të punës, që e gëzojnë punëtorët tjerë.

Por, enti i sigurimit social i kishte ndarë atij edhe një shumë prej 10680 frangash në emër të “zhdëmtimit të integritetit”. Që, me fjalë tjera praktikohet kur dikush që pëson në aksident “bart pasoja të konsiderueshme dhe të përhershme në integritetin e tij trupor dhe shpirtëror”.

Bashkë me vendimin për “pensionin”, Fatmiri ka marrë edhe vendimin për të lëshuar Zvicrën deri më 15 dhjetor. Avokati i tij ka ushtruar ankesë kundër të dy vendimeve.

Viktima vazhdon të banojë në një qendër strehimi të azilkërkuesve dhe të presë nëse vendimi për dëbim do të zbatohet ose do të ketë të drejtë qëndrimi të mëtejmë në Zvicër.

“Pas gjithë asaj që ka përjetuar, Fatmir Mustafa është  në hall të madh dhe nuk mund të gjejë zgjidhje pa ndihmën e të tjerëve. E kanë trajtuar si një thes të hedhur mbetuurinash. Ai ka nevojë urgjente për përkujdesje mjekësore dhe psikologjike”, ka thënë avokati Meier për tages anzeiger.