Integrimi
“Kino Kosova”, një mundësi e mirë për praninë e filmit kosovar në Perëndim
Për dallim nga edicioni i kaluar, kur e tërë bota ishte ende nën ethet e pandemisë, këtë vit numri i vizitorëve të “Kino Kosova 2022” ishte dukshëm më i madh
Filmi kosovar „Vera ëndërron detin“, i shpërblyer me Tokyo Grand Prix (Çmimin e madh të Tokyos) në edicionin e 34-t të Festivalit ndërkombëtar të Filmit në Tokio, ka bërë hapjen e edicionit të tretë të festivalit “Kino Kosova” në Bernë.
Për dallim nga edicioni i kaluar, kur e tërë bota ishte ende nën ethet e pandemisë, këtë vit numri i adhuruesve të kinemasë që kishin ardhur për të ndjekur edicionin e radhës të “Kino Kosova” ishte dukshëm më i madh.
Edicionet paraprake të festivalit kishin po ashtu veçoritë e tyre, përderisa ky i sivjetmi fokusin kryesor e vë te gratë kineaste nga Kosova. Kjo vërehej shumë lehtë tek filmi hapës, ku regjia, skenari dhe fotografia, elementet kyçe në një film, barteshin nga tri gra të suksesshme.
Duke e cilësuar shoqërinë dhe artistët kosovarë si shumë të talentuar dhe të suksesshëm, të cilët përkundër shumë pengesave kanë arritur suksese të mëdha në botën filmit, drejtori artistik Sabahet Meta është shprehur i nderuar që në festivalin që drejton ai, t’u jepet këtyre artistëve edhe një mundësi për të qenë më të pranishëm në vendet perëndimore, vende këto të cilat ende kanë regjim vizash për qytetarët nga Kosova.
Filmat e zgjedhur të metrazhit të shkurtër, dokumentarë dhe artistikë tregojnë perspektiva të ndryshme nga vendi akoma i ri dhe pasqyrojnë marrëdhëniet e veçanta midis Zvicrës dhe Kosovës. Përveç filmave, audienca do të ketë mundësi për të takuar regjisorë dhe artistë – në diskutime në panel, si dhe krahas shfaqjes së filmave, do të ketë lexime dhe koncerte.
Festivali ndër të tjera tregon tregime nga dhe me njerëz të ndryshëm, duke u bërë kështu një vendshkëmbim mes komuniteteve të ndryshme. Mënyra e shfaqjes së materialeve filmike bën të mundur që komunikimi për çështjet komplekse të bëhet në mënyrë intime, reflektuese e duke gërmuar thellë nën sipërfaqe të tyre.
Pavarësisht nëse kanë ndonjë narrativë politike, filozofike apo eksperimentale, filmat si të tillë zgjerojnë vetvetiu konceptin e shikuesve për botën.
Programi
5 ditët e festivalit u përkushtohen filmave kosovarë (dhe të diasporës kosovare) me metrazh të gjatë dhe të shkurtër. Përveç shfaqjeve në kinematë e ndryshme të Bernës (Kino REX, Kino in der Reitschule, Cine Camera, Cinematte), Kino Kosova fokusohet në formatet e diskutimit me kineastët. Në to përpunohen dhe klasifikohen temat komplekse dhe të ndjeshme, transmeton albinfo.ch. Debatet moderohen nga Alexandra Hiltman (gazetare Tages Anzeiger) dhe Ilir Hasanaj (regjisor Kosovë/Zvicër).
Programi mbështetës kompleton festivalin. Krahas një leximi nga shkrimtarja kosovare që jeton në Bernë, Meral Kureyshi dhe shkrimtari i ardhur nga Kosova, Shpëtim Selmani, do të ketë edhe një bllok filmash që zhvillohen në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “Dokufest” dhe u kushtohet kineastëve të rinj nga Kosova.
Në fund të festivalit, Kino Kosova dhe bee-flat ju ftojnë në një koncert të Trios Visar Kuçi dhe një DJ set nga Pika Pika, motrat Rozë Berisha dhe Blertë Berisha.
Për të qenë më mirë të informuar për çdo detaj, vizitoni www.kinokosova.com
Festivali “Kino Kosova” është themeluar tre vjet më parë nga shoqata Kulturalink. Bëhet fjalë për festival filmi, ku filmit kosovar i jepet një platformë ndërkombëtare. Iniciator është Sabahet Meta (Kulturalink), i cili është rritur në Kosovë dhe prej 8 vjetësh jeton në Zvicër. Pjesë përbërëse e Kino Kosova janë po ashtu edhe Jonas Beer, Linda Gunst, Ilir Hasanaj, Aleksandra Hiltmann dhe Yvo Casagrande.
Qëllimi i “Kino Kosova” është të ndërtojë ura kulturore dhe të promovojë shkëmbimin e artistëve dhe punëtorëve të kulturës.
Përveç 2 edicioneve në Bernë (2020 dhe 2021), Kino Kosova tashmë është shfaqur dy herë në kinemanë Riffraff në Cyrih (2021 dhe 2022) dhe një herë në Cinélux në Gjenevë (2021).
E-Diaspora
-
Fehim Abazi, kryetar i ri i Komunitetit Musliman Shqiptar të Zvicrës Zgjedhja u bë gjatë Kuvendit të rregullt të mbajtur të dielën në xhaminë e Friburgut, ku... -
Maqedoni: Mjekët e diasporës do të përfshihen në trajtimin e pacientëve përmes telemjekësisë -
Lozanë: Veshjet tradicionale shqiptare, mesazh i fortë për identitetin dhe rininë -
Inovatori i ri shqiptar në Zvicër: Projekti i tij për motor me hidrogjen në garën kombëtare shkencore -
Berlin
Rinia shqiptare në Berlin organizon për herë të parë Albanian Film Festival
Jeta në Zvicër
-
Kundërshtime ndaj pagës minimale në Vaud përpara votimit të 14 qershorit Kundërshtarët e dy nismave për vendosjen e një page minimale kantonale kanë nisur fushatën e tyre... -
Vjedhjet e identitetit online rriten ndjeshëm në Zvicër -
Mungesa e vendeve në shtëpi vë në rrezik dhjetëra të mitur në Zvicrën frëngjishtfolëse -
Ushtria zvicerane merr pjesë në stërvitjen e NATO-s në Greqi -
Organizata Birdlife Switzerland fton njerëzit të numërojnë zogjtë në kopshte

















