Tematike
“Nuk merrem me paragjykime paushalle”
Mario Fehr, kandidati për Qeverinë e Kantonit të Cyrihut: Kosovarët i kanë dhënë vlera Zvicrës
Mario Fehr është një politikan zviceran i njohur i të majtës, që çmohet për mendjen e tij të hapur dhe të pa ngujuar në barrikadat partiake e ideologjike. Ai, si deputet me përvojë të gjatë në Parlamentin Nacional, ku përfaqëson Cyrihun, është shumë aktiv në debatet publike mbi çështje të ndryshme të niveleve nacionale dhe lokale. Qasja konstruktive dhe e orientuar drejt zgjidhjes së problemeve e jo drejt ndërlikimit të tyre, është cilësi që e bën të dallueshëm profilin e tij prej politikani të moderuar.
Mario Fehr, së paku nga viti 1999 ka qenë gjithnjë i pranishëm dhe ka dhënë kontributin e tij, sa herë që në Zvicër është debatuar ose është vendosur për Kosovën dhe për shqiptarët. Që më 21 qershor të vitit 1999, pak ditë nga përfundimi i luftës, Fehr bën një postulat ku i kërkon qeverisë së Kantonit të Cyrihut të dërgojë ndihma emergjente për ndërtimin dhe kthimin e jetës në Kosovë. Ndërsa në vazhdim ai ka qenë gjithnjë në korrent me lëvizjet në politikën zvicerane që kanë kërkuar jetësimin e pavarësisë së Kosovës. Me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, Mario Fehr e sheh të vërtetuar qëndrimin e tij dhe të politikanëve tjerë zviceranë për domosdonë e këtij hapi. Lidhur me këtë, ai ka kundërshtuar me vendosmëri, në parlament dhe në debate publike, tendencat brenda politikës zvicerane, për kundërshtimin ose zhvlerësimin e njohjes nga Zvicra të pavarësisë së Kosovës.
Më 4 prill qytetarët me të drejtë vote të Kantonit të Cyrihut bëjnë zgjedhjen e Qeverisë së kantonit. Mario Fehr kandidon për një vend në këtë qeveri dhe, shumëçka thotë se ai do ta fitojë këtë vend.
Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me kandidatin për anëtar të Qeverisë Kantonale (Këshilli Kantonal) të Cyrihut, Mario Fehr.
albinfo.ch: Ju po kandidoni për një vend në Qeverinë e Kantonit të Cyrihut, dhe, siç e tregojnë të gjitha sondazhet, ju jeni duke e fituar garën
Mario Fehr: Sondazhet duhet të shihen gjithmonë me kujdes. Rezultati konstatohet vetëm në ditën e zgjedhjeve. Për këtë arsye unë do të përpiqem deri në minutën e fundit që të fitoj besimin e qytetareve dhe qytetarëve të kantonit të Cyrihut.
Gjithmonë jam qasur me respekt ndaj atyre që mendojnë ndryshe
albinfo.ch: Çfarë e bën një politikan të rëndësishëm të rangut nacional si ju (deputet aktual në Parlamentin Nacional) që të kandidojë për një vend në nivel kantonal?
Mario Fehr: Unë dua që të angazhohem edhe më shumë për njerëzit në Kantonin e Cyrihut. Për çështjet si: çmimet e arsyeshme të qirave të banesave dhe të premive të arkave shëndetësore, shanset e barabarta në arsimim dhe për një shoqëri të hapur, tolerante në të cilën pakicat të kenë vendin e tyre të qëndrueshëm. Si kryetar i Shoqatës së Afaristëve në nivel të Zvicrës dhe si deputet nacional, unë kam në gjithë Zvicrën një rrjet të gjerë lidhjesh dhe kështu mund të përfaqësoj në mënyrë efektive interesat e Kantonit të Cyrihut.
albinfo.ch: Në komitetin tuaj mbështetës bëjnë pjesë edhe një numër emrash befasues (nga e djathta). Si mund t`i bëjë për vete një socialdemokrat sikur Ju, personalitetet që vijnë nga qarqe të cilat nuk mund të cilësohen si të afërta me të majtën?
Mario Fehr: Unë gjithmonë kam synuar drejtë zgjidhjeve me të cilat mund të identifikohet një shumicë dhe në këtë synim jam qasur me respekt ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Bashkëpunimi në mes të forcave të djathta dhe atyre të majta, mund të jetë shumë pozitiv dhe të sjellë rezultate të mira. Kjo hapje imja bën që unë, për zgjedhjen në qeverinë e kantonit të kem mbështetje edhe nga gra dhe burra që, në shumë çështje përfaqësojnë pikëpamje që ndryshojnë nga të miat.
Nuk kam dilema: Kosova do të mbetet përgjithmonë e pavarur
albinfo.ch: Ju jeni prej kohës një mbështetës i Pavarësisë së Kosovës si dhe një politikan zviceran gjithnjë i hapur për kosovarët në Zvicër. Në këtë cilësi, si i vlerësoni deklarimet e disa politikanëve zviceranë, të cilët shkojnë deri atje sa të kërkojnë anulimin e njohjes së Kosovës nga Zvicra?
Mario Fehr: Pavarësia e Kosovës ka qenë hap në drejtimin e duhur. Unë e kam mbështetur atë që nga fillimi. Unë edhe si anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Nacional, gjithnjë kam mbajtur qëndrimin këmbëngulës që Zvicra të ndihmojë në ndërtimin e ekonomik të Kosovës. Në të vërtetë për këtë çështje unë nuk kam as më të voglën dilemë: Kosova do të mbetet përgjithmonë e pavarur.
albinfo.ch: Imazhi i shqiptarëve të Kosovës vazhdon të vuajë. Sipas mendimit Tuaj, a përkon ky imazh me realitetin apo më shumë vjen si rezultat i paragjykimeve? Dhe, çfarë do të duhej të bënin kosovarët për të hequr qafe një imazh të tillë?
Mario Fehr: Shumica e shqiptareve dhe shqiptarëve të Kosovës jetojnë tashmë një kohë mjaft të gjatë në Zvicër. Ata punojnë këtu, fëmijët e tyre ndjekin këtu shkollimin dhe ata janë një pjesë e vetëkuptueshme dhe me shumë vlerë e kësaj shoqërie. Ndërkaq, unë nuk dua të kem punë fare me paragjykimet paushalle.
Lidhur me atë se çfarë mund të bëjnë kosovarët për imazhin e tyre: mësimi i gjuhës gjermane është shumë i rëndësishëm, që të mund të kuptohen mirë. Dhe pastaj, kosovaret dhe kosovarët, në vendet ku banojnë, duhet të angazhohen edhe më tepër nëpër shoqatat dhe organizatat e ndryshme. Në këtë mënyrë, ato/ata njohin dhe vlerësojnë më mirë komunitetet tjera.
Të tjera nga Tematike
E-Diaspora
-
Kosovë: Më 6 maj nis regjistrimi i votuesve nga jashtë për votim me postë dhe përfaqësi diplomatike Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se më 6 maj 2026 fillon procesi i... -
Fehim Abazi, kryetar i ri i Komunitetit Musliman Shqiptar të Zvicrës -
Maqedoni: Mjekët e diasporës do të përfshihen në trajtimin e pacientëve përmes telemjekësisë -
Lozanë: Veshjet tradicionale shqiptare, mesazh i fortë për identitetin dhe rininë -
Inovatori i ri shqiptar në Zvicër: Projekti i tij për motor me hidrogjen në garën kombëtare shkencore
Jeta në Zvicër
-
Kolona të gjata në Gotthard për ditën e ngjitjes, SBB shton trena shtesë Gjatë fundjavës së Ditës së Ngjitjes në Zvicër pritet trafik i rënduar në kalimin e Gotthardit,... -
Shoferët e autobusëve përballen me probleme shëndetësore shkaku i kushteve të punës -
Shumica e zviceranëve mbështesin fluturimet dhe kundërshtojnë taksat e reja -
Ndërmerren masa në Valais pas shkeljeve të shumta të privatësisë nga kamerat online -
Kundërshtime ndaj pagës minimale në Vaud përpara votimit të 14 qershorit












