Maqedonia
Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut: 1.8 milionë votues
Sot qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë filluar të votojnë për t’i zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit, në zgjedhje të dyfishta.
Thuhet se rreth 1.8 milionë shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë vote në këto dy palë zgjedhje: rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe në zgjedhjet parlamentare.
Këto janë zgjedhjet e para të dyfishta që mbahen në këtë vend prej vendosjes së demokracisë në vitet ‘90-a.
Në garën për Parlamentin e ri marrin pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.
Në radhët e Frontit Evropian garojnë edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome dhe boshnjake.
Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse.
Gara për president mes Davkovës dhe Pendarovskit
Të mërkurën, në garë për president janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, Gordana Silanovska-Davkova e VMRO-DPMNE-së në opozitë, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, që mbështetet nga Lidhja Social Demokrate në pushtet.
Në rundin e parë, Davkova i fitoi 363.000 vota, apo 40 për qind – ndërsa kundërshtari i saj Pendarovski rreth 180.000 vota, apo 19 për qind.
Që zgjedhjet presidenciale të jenë të suksesshme, përveç se njëri nga dy kandidatët duhet t’i fitojë shumicën e votave të qytetarëve, kërkohet edhe që dalja në zgjedhje të jetë së paku 40 për qind e qytetarëve të regjistruar në Listën Zgjedhore, ose rreth 725.000 votues.
Nëse plotësohet pragu prej 40 për qind për zgjedhjen e presidentit, Parlamenti duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës deri të dielën, më 12 maj.
Në këtë rast, seanca ceremoniale për inaugurimin e presidentit të ri do të mbahej nga deputetët në largim.
Mirëpo, sipas kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), këto afate deri më 12 maj mund të respektohen vetëm pasi KSHZ-ja t’i ketë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale, përkatësisht nëse nuk ka ankesa për procesin zgjedhor.
“Kandidati për president që fiton zgjedhjet, duhet të bëjë një deklaratë solemne para Kuvendit dhe, sipas Kushtetutës, mund të bëhet edhe para përbërjes së vjetër parlamentare. Përbërja e vjetër parlamentare e ka një të drejtë të tillë, duke qenë se kemi edhe zgjedhje parlamentare. Pastaj, presidenti i ri do ta caktojë mandatin për të formuar një Qeveri të re,” thotë Novakovski.
Çfarë do të ndodhë nëse nuk arrihet pragu zgjedhor?
Në rast se dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale është më e ulët se pragu prej 40 për qind – gjë që nuk ka ndodhur deri më tani – Kushtetuta parashikon që kompetencat dhe funksionet e presidentit t’i marrë kryetari i Parlamentit.
Pa pragun zgjedhor, opsion është që të caktohet mandatari për formimin e Qeverisë së re nga kryeparlamentari në largim, Jovan Mitrevski, dhe opsioni i dytë është që së pari të konstituohet Parlamenti i ri dhe kryetari i ri i Parlamentit t’i japë mandatin liderit të partisë që ka fituar shumicën prej 61 deputetëve për formimin e Qeverisë së re.
Novakovski thotë se pa pragun zgjedhor prej 40 për qind, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i konsideron zgjedhjet presidenciale si të pasuksesshme dhe në afat prej 40 ditësh, Parlamenti duhet të shpallë zgjedhje të reja presidenciale.
Rezultatet përfundimtare të KSHZ-së zakonisht vijnë më shpejt nëse nuk ka ankesa nga kandidatët dhe partitë politike. Nëse ka kundërshtime, rezultatet përfundimtare publikohen pasi të jenë shterur të gjithë mekanizmat ligjorë për këtë rast.
Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të konstituohet brenda 21 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Zgjedhjet e të 8 majit janë të 11-at që nga shpallja e pavarësisë së vendit dhe zgjedhjet e shtata presidenciale në përgjithësi. Procesi zgjedhor zhvillohet në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre monitorohen nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj.
Të tjera nga Maqedonia
E-Diaspora
-
Panel diskutimi: Gratë në ndërmarrësi dhe pozita udhëheqëse Panairi SheLeads 2026 bashkoi gra të suksesshme sipërmarrëse dhe themeluese nga industri të ndryshme, duke filluar... -
Një i ri kosovar paguan për sigurimin e makinës deri 8000 franga më shumë se moshatari i tij zviceran -
Yllka Zuzaku-Mustafa zgjidhet presidente e Lidhjes së Infermierëve Shqiptarë në Zvicër -
Berlin
Java e Kulturës së Kosovës në Berlin vijon me një film që sjell plagët e luftës -
Refuzimi i “Nismës së Kaosit” dëshmoi se qytetarët zgjodhën faktet mbi politikën e frikës
Jeta në Zvicër
-
Skandal në spitalet e Neuchâtelit: ngacmime psikologjike dhe seksuale në sallat e operacionit Një raport i klasifikuar, i siguruar nga RTS, zbulon se ngacmimi psikologjik dhe ai seksual janë... -
Panel diskutimi: Gratë në ndërmarrësi dhe pozita udhëheqëse -
Një i ri kosovar paguan për sigurimin e makinës deri 8000 franga më shumë se moshatari i tij zviceran -
Parlamenti zviceran rihap derën për energjinë bërthamore -
Zvicër: Votohet garantimi i orareve të aeroporteve përballë interesave të tjera












