Lajme

Thirrjet telefonike të padëshiruara nga kompanitë e sigurimeve vazhdojnë në Zvicër, pavarësisht ndalimit

Autoriteti mbikëqyrës FINMA raporton shkelje të vazhdueshme të rregullit që ndalon marketingun telefonik pa pëlqim në sektorin e sigurimeve shëndetësore në Zvicër.

Pavarësisht se që nga 1 shtatori 2024 në Zvicër është në fuqi ndalimi i thirrjeve telefonike të pakërkuara nga kompanitë e sigurimeve shëndetësore, kjo praktikë vazhdon të raportohet nga qytetarët, përcjell albinfo.ch.

Autoriteti zviceran i mbikëqyrjes së tregut financiar FINMA, i cili është përgjegjës për rregullimin e veprimtarisë së siguruesve shëndetësorë, ka bërë të ditur se shkeljet nuk janë ndalur plotësisht.

“Vazhdojmë të marrim rregullisht raportime për shkelje të kësaj rregulloreje,” deklaroi zëdhënësja e FINMA-s, Ursula Keel.

Sipas autoriteteve, një nga arsyet e mosrespektimit të ndalimit mund të jetë fakti se deri më tani nuk janë vendosur gjoba ndaj shkelësve, gjë që mund të ketë ndikuar në vazhdimin e kësaj praktike./Albinfo.ch