Kosova
GESS Who! organizon udhëtimin e parë ndërkombëtar, 23 studentë të ETH Zürich eksplorojnë Kosovën
Studentët e Gess Who! – Unionit për Shkenca Humane, Sociale, dhe Politike në ETH Zürich, u nisën në udhëtimin e parë ndërkombëtar studimor të unionit jashtë Zvicrës! Të udhëhequr nga Hana Syla, Presidente e Unionit, 23 studentë u mirëpritën në vendlindjen e saj në Kosovë, ku mësuan mbi historinë, kontekstin politik dhe kulturën e vendit.
Grupi përfaqësoi një përbërje të larmishme ndërkombëtare, me pjesëmarrës nga Zvicra, Gjermania, Luksemburgu, Spanja, Greqia, Irlanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Meksika, Kina, Vietnami, Pakistani dhe Libani, shkruan albinfo.ch.
Studentët u pritën nga Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, Kryeministri në detyrë z. Albin Kurti dhe Ministri i Mbrojtjes në detyrë, z. Ejup Maqedonci. Në secilin prej këtyre takimeve, ata patën mundësinë të bënin pyetje dhe të angazhoheshin në diskutime interaktive me drejtuesit e shtetit.
Gjatë qëndrimit të tyre, studentët u takuan gjithashtu me ish-të burgosur politikë shqiptarë gjatë kohës së Jugosllavisë, në Muzeun “Burgu i Idealit” në Prishtinë. Veprimtarët organizuan një panel diskutimi, përmes të cilit studentët fituan një kuptim më të thellë të rezistencës së popullit shqiptar dhe rrugëtimit të tij drejt lirisë.
Në panel ishin të pranishëm Hydajet Hyseni, Shemsi Syla, Enver Dugolli, Ilmi Cakolli, Idriz Mehmeti, si dhe Sébastian Gricourt, përkthyes në Kosovë nga viti 1997 deri në vitin 2002 për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK). Pas kësaj, grupi e vazhdoi vizitën në Universitetin e Prishtinës, ku shkëmbeu perspektiva akademike me profesorët Albert Mecini dhe Endrit Temaj, si dhe studentë të Departamentit të Sociologjisë.
Përveç Prishtinës, studentët e vizituan qytetin e Prizrenit në 148-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe eksploruan trashëgiminë e tij historike, kulturore, dhe fetare. Studentët vizituan gjithashtu Gjilanin dhe Bresalcin, ku u mirëpritën nga familja e Hanës dhe mësuan nga afër për përvojat e një familjeje shqiptare që e kishte përjetuar luftën. Së fundi, në Ditën e Çlirimit të Kosovës, ata vizituan Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Qëllimi i këtij udhëtimi ishte t’i prezantonte studentët ndërkombëtarë me Kosovën jo vetëm si një destinacion turistik, por edhe si një rast studimor të rimëkëmbjes pas konfliktit, ndërtimit të shtetit, demokratizimit dhe transformimit shoqëror. Vizita e arriti objektivin e saj akademik, pasi studentët patën mundësinë të angazhoheshin drejtpërdrejt me realitetet që qëndrojnë pas koncepteve me të cilat njihen gjatë studimeve të tyre në ETH Zürich.
Siç theksuan vetë studentët pjesëmarrës, për ta, një brez i ri profesionistësh të ardhshëm, të cilët ka të ngjarë të angazhohen në diplomaci, hartim politikash, akademi dhe shërbim publik në vendet e tyre përkatëse, njohja e drejtpërdrejtë me Kosovën dhe njerëzit që i kanë përjetuar këto koncepte është e çmuar.
Vizita përveç se krijoi miqësi mes studentëve ndërkombëtarë dhe Kosovës, edhe e forcoi përkushtimin e Gess Who! dhe Departamentit të Shkencave Humane, Sociale dhe Politike në ETH Zürich (D-GESS) për krijimin e përvojave arsimore që ndërthurin mësimin në klasë me angazhimin në terren.
Gess Who!, është falenderues ndaj Departamentit të Shkencave Humane, Sociale dhe Politike në ETH Zürich për mbështetjen financiare, ndaj Hana Syla, iniciativa dhe puna e së cilës e bënë të mundur këtë vizitë, ndaj Bordit të Gess Who! për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë procesit, si dhe ndaj studentëve pjesëmarrës për interesimin dhe angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm.
“Në fund, e falenderojmë popullin dhe institucionet e Kosovës për mikpritjen, bujarinë dhe kohën e mrekullueshme që e ndanë me ne.”, thonë organizatorët e Gess Who!.
Më shumë informata: https://gesswho.ethz.ch/kosova-educational-trip/
E-Diaspora
-
Ushtari arbëresh surprizon me shqipen e tij: “Kam lindur në Itali, por jam arbëresh” Një bisedë spontane dëshmoi se arbëreshët vazhdojnë ta ruajnë me krenari gjuhën dhe kulturën shqiptare.... -
Pianistja shqiptare Fatjona Maliqi interpretoi veprën monumentale të Bach-ut në Gjermani -
Gjermani
Shqiptarja Lindita Nebiu Hyseni ligjëruese në Universitetin SRH në Mynih -
Suedi
Getoar Luta diplomon në Universitetin prestigjioz të Uppsallës në Suedi -
Panel diskutimi: Gratë në ndërmarrësi dhe pozita udhëheqëse
Jeta në Zvicër
-
Ku lejohet larja në shatërvanë në Zvicër? Zhytja në shatërvanët publikë është bërë një ritual shumë i dashur në disa pjesë të Zvicrës.... -
TVSH-ja do të rritet për të financuar pagesën e 13-të të pensionit zviceran -
Qeveria zvicerane dëshiron të forcojë furnizimin me ilaçe -
SVP nuk heq dorë nga kufizimi i emigracionit pas humbjes në referendum -
Vizita falas për të moshuarit në Cyrih për t’i mbrojtur nga temperaturat ekstreme

















