Lajme

Zvicër: Rritje e madhe e vjedhjes së identitetit online

Vjedhja e identitetit online është rritur ndjeshëm në Zvicër, duke u kthyer në një nga format më shqetësuese të krimit kibernetik. Sipas të dhënave zyrtare, rastet janë rritur nga 478 në vitin 2023 në 8,102 raste vetëm dy vjet më vonë.

Autoritetet thonë se mashtruesit përdorin të dhëna të vjedhura dhe dokumente të falsifikuara për të kryer blerje, kontrata dhe kredi në emër të viktimave, duke shkaktuar humbje të mëdha financiare.

Raste konkrete nga kantone të ndryshme tregojnë dëme që shkojnë deri në dhjetëra mijëra franga, përfshirë faturime të rreme, makina me qira të marra me identitet të rremë dhe borxhe për shërbime të pakërkuara. Edhe rrjetet sociale po përdoren gjithnjë e më shumë për mashtrime, përfshirë krijimin e profileve të rreme me inteligjencë artificiale.

Policia zvicerane vlerëson se vetëm rreth 20% e rasteve të krimit kibernetik zgjidhen, por thekson rëndësinë e denoncimit, pasi kjo ndihmon në hetime dhe parandalim.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se të dhënat personale po tregtohen në “dark web”, ku dokumente si pasaportat zvicerane arrijnë vlera të larta.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të forcojnë sigurinë digjitale, duke përdorur fjalëkalime të forta, verifikim me dy hapa dhe kujdes në ndarjen e të dhënave personale online.