Kosova

Policia e Kosovës ndalon garat ilegale në autostradë, sekuestron 4 vetura

Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia për Kontroll të Autostradave, në kuadër të planit për parandalimin e garave ilegale të shpejtësisë, ka ndërmarrë aksione gjatë javës së fundit.

Bëhet e ditur se vetëm brenda një jave janë parandaluar tri raste të garave ilegale në autostradë, ku janë shqiptuar masa dhe gjoba ndaj shoferëve të përfshirë, transmeton albinfo.ch.

Tutje, sipas njoftimit janë sekuestruar edhe automjete të dyshuara për modifikime teknike. Në njoftim thuhet: “gjatë vikendit janë sekuestruar përkohësisht 4 automjete të dyshuara për modifikim në sistemin e tërheqjes”, të cilat do t’i nënshtrohen kontrollit teknik të jashtëzakonshëm.

Policia e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që të kontribuojnë në sigurinë rrugore, duke raportuar rastet e tilla dhe duke mos u përfshirë në gara ilegale.