Lajme

Harta që llogarit hijen e çdo peme në Zvicër

Projekti është zhvilluar nga studiuesit e Institutit për Kërkime mbi Borën dhe Ortekët (SLF), pjesë e institutit kërkimor WSL

Shkencëtarët zviceranë kanë krijuar një hartë të re me saktësi të lartë që tregon se ku bie drita e diellit në çdo pjesë të Zvicrës, duke llogaritur madje edhe hijen që krijon secila pemë në vend. Projekti është zhvilluar nga studiuesit e Institutit për Kërkime mbi Borën dhe Ortekët (SLF), pjesë e institutit kërkimor WSL, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Harta ofron të dhëna me rezolucion prej vetëm 10 metrash dhe tregon, orë pas ore gjatë gjithë vitit, sa dritë arrin në sipërfaqen e tokës. Për krijimin e saj janë përdorur të dhëna topografike shumë të detajuara nga agjencia federale swisstopo, duke bërë të mundur llogaritjen e hijes së çdo kodre, mali dhe peme individuale në territorin zviceran.

Sipas studiuesve, të dhënat do të kenë përdorime të rëndësishme për parashikimin e shkrirjes së borës, paralajmërimet për përmbytje, menaxhimin e hidrocentraleve, si dhe studimet mbi klimën dhe ciklin e ujit. Rreth një e treta e reshjeve në Zvicër bien në formë bore, ndaj njohja e saktë e sasisë së rrezatimit diellor është thelbësore për të kuptuar se kur dhe ku do të shkrihet bora.

Një nga sfidat më të mëdha të projektit ishte përfshirja e strukturës së kurorave të pemëve. Studiuesit morën parasysh dallimet mes llojeve të ndryshme të pemëve, përfshirë ato gjetherënëse që humbin gjethet gjatë dimrit dhe lejojnë më shumë dritë të arrijë në tokë.

Ekspertët thonë se kjo bazë të dhënash do të ndihmojë jo vetëm kërkimet mbi borën dhe klimën, por edhe studimet mbi ekosistemet pyjore, habitatet e kafshëve dhe mikroklimën në pyje. Harta është bërë publike për studiuesit dhe institucionet përmes platformës zvicerane të të dhënave mjedisore EnviDat.