Kosova

Përfundon numërimi i votave me postë, LVV dominon me gati 73 për qind të mbështetjes

Votat e diasporës i shtojnë pesë mandate Vetëvendosjes, ndërsa procesi zgjedhor vazhdon me numërimin e votave me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e numërimit të votave me postë, të ardhura nga qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, duke konfirmuar një mbështetje të fuqishme të diasporës për Lëvizjen Vetëvendosje, transmeton albinfo.ch.

Sipas rezultateve përfundimtare të votimit me postë, LVV-ja ka siguruar 60,003 vota, apo 72.94 për qind të totalit të votave të numëruara.

Në vendin e dytë është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës me 9,881 vota ose 12.01 për qind, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 6,758 vota, që përbëjnë 8.21 për qind.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë e katërta me 3,444 vota apo 4.19 për qind.

Rezultati i votave me postë ka ndikuar dukshëm edhe në ndarjen e mandateve parlamentare. Krahasuar me rezultatin preliminar të zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar pesë mandate shtesë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas përllogaritjeve aktuale, LVV-ja ka arritur në 53 mandate, ndërsa PDK-ja ka 22 mandate, LDK-ja 18 dhe AAK-ja 7 mandate.

Megjithatë, procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar plotësisht. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve kanë mbetur për t’u numëruar votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat pritet të kompletojnë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve./Albinfo.ch