Lajme

SBB njofton udhëtarët se cilët trena nuk kanë klimë

Vala e të nxehtit në Zvicër, aplikacioni i SBB tregon trenat pa ajër të kondicionuar

Me valën e të nxehtit që ka përfshirë Zvicrën, udhëtarët mund të kontrollojnë paraprakisht nëse treni i tyre është i pajisur me klimë përmes aplikacionit dhe faqes zyrtare të SBB-së, përcjell albinfo.ch.

Në kohën kur temperaturat në Zvicër pritet të kalojnë 30 gradë Celsius, kompania hekurudhore zvicerane SBB ka aktivizuar një funksion të veçantë në aplikacionin dhe faqen e saj të internetit për të informuar udhëtarët mbi trenat që nuk kanë ajër të kondicionuar.

Deri në muajin shtator, pranë lidhjeve hekurudhore që nuk ofrojnë ftohje gjatë verës do të shfaqet një simbol termometri me njoftimin “Pa ajër të kondicionuar”.

Sipas SBB-së, raste të tilla janë tashmë të rralla, pasi shumica dërrmuese e trenave janë të pajisur me sisteme moderne klimatizimi.

“Vetëm një numër shumë i vogël trenash preken nga kjo situatë, kryesisht mjete më të vjetra”, ka bërë të ditur kompania.

SBB thekson se rreth 98 për qind e trenave të saj janë të pajisur. /Albinfo.ch