Teatër

Kulturë 

Koncert

Nuk janë vetëm Inva Mula, Saimir Pirgu ose Ermonela Jaho, ata që u kanë ngritur namin shqiptarëve në sferën e muzikës klasike jashtë vendit. “Shkollën shqiptare të muzikës” në botë e përfaqësojnë me dinjitet edhe shumë këngëtarë dhe  instrumentistë të talentuar. Një numër jo i vogël i tyre kanë janë instrumentistë të parë apo drejtues në orkestra të ndryshme.
Në këtë radhë bëjnë pjesë edhe instrumentistët: Dhurata Lazo, Zija Bejleri, Gjergj Bejko  dhe Klaidi Sahatçi. Ata  jetojnë në anë të ndryshme të Gjermanisë dhe të Zvicrës ndërsa ajo që i bashkon është pasioni për muzikën, i cili tashmë është shndërruar edhe në profesion të tyre.

Gjergji, që posa ka mbushur 12 vjetët, është një “vunderkind” i llojit të tij në piano. Në akademinë e muzikës në Freiburg kanë thyer rregullat për ta pranuar atë, si një talent i jashtëzakonshëm, që  në moshën 11 vjeçare. Para kësaj, Gjergj Bejko ka marrë shumë çmime muzikore. Klaidi Sahatçi është violina e parë në orkestrën e njohur të Cyrihut “Tonhalle” ndërsa Zija Bejleri, udhëheqës artistik në një orkestër gjermane.

Të katër mjeshtrit ishin mysafirë në Bernë, në sallën e katedraless Bernermünster, ndër më të mëdhatë dhe më të njohurat në Zvicër.

“Merita për ardhjen tonë këtu, i takon Zhaklina Dhimojani-Blättler, shqiptares që jeton në Bernë dhe është shumë e pasionuar pas muzikës” thotë për albinfo.ch violinisti Klaidi Saatçi. “Këtu jemi bërë bashkë: unë, që punoj në Cyrih, Dhurata Lazo-Bejleri dhe Zija Bejleri që janë bashkëshortë dhe jetojnë në Kaisersläutern si dhe Gjergji Bejko, më i vogli, 12 vjeç, i cili jeton me familjen në Freiburg të Gjermanisë”.

Sahatçi: Nga Cyrihu në Skala dhe sërish në Cyrih

Duke folur për karrierën e tij, Klaidi na tregon se para se të vendosej në Cyrih kishte punuar për një kohë në Skala të Milanos. “Por, edhe para se të shkoja atje, unë kam punuar në orkestrën zvicerane të dhomës (orkestra kamertale) si violinë e parë. Pas një kohe që qëndrova në Milano, orkestra Tonhalle e Cyrihut pati shpallur një konkurs ku morën pjesë një numër i madh violinistësh dhe u zgjodha unë. Kështu, sërish u ktheva në Cyrih”, thotë ai.

I pyetur për dallimet në mes punës në Milano dhe asaj në Cyrih, Sahatçi i thotë: “në Milano është bërë muzikë operistike ndërsa këtu në Cyrih orkestra Tonhalle  bën muzikë ca më intime, muzikë simfonike dhe dhome, që mua më flenë më shumë në zemër. Pastaj këtu jam violinë e parë dhe kam privilegjin të punoj me një violinë të mjeshtrit të madh, Stradivari, që është një mundësi jashtëzakonisht e madhe që mund t`i jepet një artisti..

Por, cili është sekreti i suksesit të asaj që quhet “shkollë shqiptare e muzikës”? – është pyetja e radhës. Sipas Klaidit, sekreti qëndron “te pasioni dhe te sensi i sakrificës që na dallon ne shqiptarëve. Ne, forcën tonë të brendshme e shndërrojmë në vullkan të madh kur përfaqësojmë vendin”, përfundon ai.

Zhaklina Dhimojani –Blättler thotë se është amatore e muzikës dhe organizatore e koncertit. “Sjellja e instrumentistëve këtu nuk ishte edhe aq e lehtë. Kishim një ndihmë të vogël nga Kiwani klub dhe pjesën tjetër e mbuluam vetë ne”, sqaron ajo për albinfo.ch.

Ndihmat, në një projekt humanitar për fëmijët në Shqipëri

Ndërsa  lidhur me karakterin humanitar të koncertit, ajo thotë: “Ndihmat që janë grumbulluar këtu do të dërgohen për një projekt për fëmijët në nevojë, në Himarë të Shqipërisë. Jemi në hapat e parë të ngritjes së një organizate humanitare”.  Ajo me tutje tregon se është duke punuar edhe në një projekt tjetër me muzikë klasike. Synimi është realizimi i një koncerti me fëmijët shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe që dallohen me talentin e tyre në muzikë klasike.

Në koncertin e mbajtur në Bernë, që kishte tërhequr një numër të konsiderueshëm artdashësish, katër instrumentistët shqiptarë shkëlqyen secili në instrumentin e tij. Salla e katedrales me një akustikë të përsosur, ishte po ashtu “në anën” e instrumentistëve shqiptarë.

Klajdi Sahatçi me violinë, Dhurata Lazo-Bejleri me piano ashtu si dhe Gjergji Bejko ndërsa Zija Bejleri me sopran-sax, ekzekutuan vera të kompozitorëve të mëdhenj botërorë si Mozart, Beethoven, Schubert, Donizeti, Bellini etj. Por nuk munguan as tingujt shqiptarë. Vepra të kompozitorëve shqiptarë si A. Peçi dhe E. Rushiti ishin po ashtu në repertorin e koncertit dhe i dhanë një sharm karakteristik programit.

Në kuadrin e programit të të dielës në Bernë ishte edhe promovimi i cd-së “Albanian Memories” (Kujtime shqiptare) me pianisten Dhrata Lazo dhe violinistin Klaidi Sahhatçi.

Në mesin e publikut në sallë ndodhej edhe ambasadori i porsaemëruar i Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni. Ai i përgëzoi me këtë rast artistët shqiptarë për kënaqësinë që i dhuruan publikut dhe për përfaqësimin e denjë të kulturës shqiptare jashtë vendit.

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriKulturë 
  • Profesioni:Koncert

  WHO’S WHO të tjera