Lajme

Aksident tragjik në Mynih, përplasen dy trena mallrash – humb jetën një person

Dy vagonë dolën nga shinat dhe ranë në rrugën poshtë urës, ndërsa autoritetet gjermane po hetojnë shkaqet e aksidentit.

Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë hekurudhor që ndodhi në orët e para të së shtunës në Mynih të Gjermanisë, ku u përplasën dy trena mallrash, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë lokale, përplasja ndodhi mbi një urë në lagjen veriore Milbertshofen. Si pasojë e goditjes së fortë, dy vagonë dolën nga shinat dhe përfunduan në rrugën poshtë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Shërbimet emergjente u njoftuan për incidentin rreth orës 01:40 të mëngjesit, ndërsa në vendngjarje u angazhuan rreth 60 ekipe të ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikësve.

Autoritetet kanë konfirmuar vdekjen e një personi, ndërsa nuk janë dhënë ende detaje të tjera lidhur me identitetin e viktimës apo nëse ka të lënduar të tjerë.

Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë dhe është duke u hetuar nga autoritetet kompetente gjermane./Albinfo.ch