Politikë

Adnan Dibrani

Politikan

Shqiptarët në Suedi tashmë janë bërë pjesë aktive në jetën  shoqërore dhe politike në vend, ngase tashmë për herë të dytë kanë zgjedhur përfaqësuesin e tyre politik, i cili do të adresojë kërkesat e tyre në institucionet e vendit.

Deputeti i vetëm shqiptar në shtetet evropiane, Adnan Dibrani, në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch ka deklaruar se përzgjedhja e tij në mandatin e dytë fuqizon edhe më shumë pozicionin e komunitetit shqiptar në Suedi.

Dibrani është i vetmi shqiptar që përfaqëson në legjislativin suedez të huajt në Suedi

„Kjo tregon se ne jemi tashmë të dukshëm si një komunitet në të gjitha segmentet e jetës, përfshirë edhe politikën. Do të thotë, tashmë nuk jemi të dalluar vetëm në futboll, por edhe në politikë“, thotë politikani me origjinë nga Kosova.

Deputeti i ri nuk është edhe aq optimist kur pyetet nëse pret ndonjë post ministror në qeverinë e re suedeze pas fitores së Social demokratëve në zgjedhje, parti me të cilën për herë të dytë politikani me origjinë nga Mitrovica fiton një ulëse në Parlamentin suedez.

„Nuk besoj, se jam deputet i ri ende në parlament. Është mandati i dytë që zgjedhem në legjislativin e vendit. Por, megjithatë tashmë jemi në pozicion tjetër. Edhe pse nuk do të jemi pjesë e Qeverisë, projektet që i kam në programin tim do të realizohen më lehtë me ndihmën e kolegëve që do të marrin poste ministrore. Nga ana tjetër, ne nuk e kemi shumicën, duhet të varemi prej partnerit të koalicionit. Aktualisht po punojmë se cilat projekte mund t’i realizojmë së bashku me partitë e koalicionit. Shanset janë të mëdha që projektet tona të realizohen“, tha Dibrani.

Deputeti shqiptar nuk do të bëjë dallime të të huajve në Suedi, edhe pse i takon komunitetit shqiptar. Konzervativët sa ishin në pushtet e kanë bërë të vëshirë sistemin shkollor në Suedi. Partia e deputetit shqiptar pikërisht do të punojnë që ta bëjnë më të lehtë qasjen e të huajve në shkollat suedeze.

„Kur e kam filluar shkollën, nuk e kam njohur aspak gjuhën. Por, për rreth kisha mësues që më kanë ndihmuar të kaloj këto barriera. Më kanë ofruar ndihmë plotësuese. Tashmë një ndihmë e tillë nuk ekziston në Suedi për të huajt, sidomos për fëmijët, për të cilët është shumë e rëndësishme për të pasur sukses në shkollim“, thekson më tutje Dibrani.

Ai kishte vendosur t’u bashkangjitet radhëve të socialdemokratëve ngase, sipas tij, subjekti politik që përfaqëson është parti e vlerave dhe nuk bën dallim të qytetarëve të vendit se a janë të huaj apo vendës, a janë të pasur apo të varfër.

„Ne kur kemi migruar në Suedi, jemi pritur mirë dhe na kanë ndihmuar shumë në integrimin tonë të shpejtë në jetën e këtushme. Prandaj kemi mbërritur deri këtu, ngase sistemin liberal e kanë ndërtuar socialdemokratët dhe për këtë arsye dallojnë nga konzervativët“, thekson ai.

„Ne do të angazhohemi që të gjithë fëmijëve, qofshin ata të huaj, të pasur apo të varfër, t’u mundësojmë shanse të njëjta të shkollimit, duke filluar nga cikli i ulët deri në fakultet“, premton politikani shqiptar.

Më herët nuk kishim një imazh të mirë në përgjithësi në diasporë

„Tani kemi dhënë sinjale të tjera. Unë jam këtu në Suedi, kemi futbollistë të suksesshëm, përfaqësues biznesesh me emër. Gjeneratat e reja tashmë janë integruar në sistemin e shtetit, ku kanë migruar prindërit e tyre“, thotë në këtë intervistë 29-vjeçari.

Pjesëmarrja masive e votuesve në zgedhje ka treguar për pozicionin e fuqishëm që ka komuniteti shqiptar në Suedi.Po ashtu kanë treguar se dëshirojnë të marrin pjesë aktive në vendimmarrje.

„Pa mbështetjen e votave të komunitetit shqiptar në Haland, në regjionin ku jam kandiduar, shanset ishin të vogla të bëhem pjesë e parlamentit“, thekson parlamentari shqiptaro-suedez.

Ai ka folur edhe për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Suedi. Politikani shqiptar thotë se secila shkollë është e obliguar të sigurojë një mësimdhënës që do t’ua mësojë gjuhën amtare të huajve në vend.

Deputeti shqiptar ka thënë të jetë motivuar më shumë me marrjen këtë vit edhe të çmimit ‘Mërgimtari i suksesshëm’ nga Ministria e Diasporës e Kosovës.

„Çmimi u takon të gjithë shqiptarëve në Suedi, sidomos të regjionit të Halandit, ngase të gjithë së bashku kemi mbërritur deri këtu“, shprehet Dibrani.

Komuniteti shqiptar është i organizuar mirë në Suedi.

„Ekzistojnë me dhjetëra shoqata të ndryshme, ndërsa partitë politike të Kosovës iu kanë mbetur vetëm gjeneratava të para, ndërsa gjeneratat e reja janë inkuadruar më shumë në sistemin e këtushëm suedez“, tha Adnan Dibrani.

Ka 14 vjet që merret me politikë dhe thotë se gjithmonë kishte marrë përkrahjen e suedezëve.

Adnan Dibrani kishte migruar në moshën 7-vjeçare në Suedi.

Ai ishte njëri prej deputetëve të parë shqiptarë dhe njëri nga pjesëtarët më të rinj që kishte siguruar një ulëse në mandatin e kaluar në Parlamentin suedez, ndërsa në zgedhjet e fundit mori më së shumti vota, duke siguruar edhe një mandat të deputetit në Suedi. Ai vjen nga Koshtava e Mitrovicës, ndërsa në Suedi ka të kryer Shkollën e Lartë Ekonomike.

Dibrani nuk është shkëputur prej vendit nga kishte migruar. Ai e viziton çdo vit vendin e lindjes.

Jozyrtarisht thuhet se janë 100 mijë shqiptarë që jetojnë në Suedi.

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriAdnan Dibrani
  • Prejardhja:Kosovë
  • Vendi ku vepron: Varberg-Suedi
  • Profesioni:Politikan

  WHO’S WHO të tjera