Lajme

Në Bernë mbahet mbrëmje letrare kushtuar 95-vjetorit të lindjes së Dritëro Agollit

Aktiviteti i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë mblodhi nxënës, mësues, artistë dhe dashamirës të kulturës shqiptare në Zvicër

Ambasada e Shqipërisë në Bernë ka organizuar një mbrëmje letrare dhe artistike në nder të 95-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe poetit të shquar shqiptar, Dritëro Agolli, transmeton albinfo.ch.

Aktiviteti u mbajt në Kornhausbibliothek dhe mblodhi rreth 100 pjesëmarrës, mes tyre nxënës të shkollave shqipe në Zvicër, mësues dhe dashamirës të kulturës shqiptare, të cilët ndoqën një program të pasur kushtuar jetës dhe krijimtarisë së Agollit.

Në fjalën e tij, ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ermal Dredha, e cilësoi Dritëro Agollin si një nga figurat më emblematike të letërsisë shqipe, duke theksuar se veprat e tij mbeten aktuale falë mesazheve universale mbi dinjitetin njerëzor, dashurinë, vendlindjen dhe raportin e njeriut me kohën.

Mbrëmja u pasurua me recitime nga nxënësit e shkollave shqipe në Zvicër, interpretime muzikore nga këngëtarja Mimoza Nazarko, materiale filmike nga jeta e shkrimtarit, si dhe me regjistrime autentike të zërit të vetë Dritëro Agollit.

Organizatorët shprehën mirënjohje për bashkëpunimin e Kornhausbibliothek, për kontributin e mësuesve, nxënësve dhe artistëve pjesëmarrës, si dhe për Muzeu Kadare–Agolli, i cili vuri në dispozicion dorëshkrime, skica dhe materiale të tjera krijuese të shkrimtarit.

Ambasada bëri të ditur se aktivitetet në kuadër të Vitit të Agollit dhe Kadaresë do të vijojnë edhe gjatë muajve në vijim, ndërsa në vjeshtë pritet të organizohet në Gjenevë një veprimtari kushtuar Ismail Kadare./Albinfo.ch