Lajme

Zvicra renditet ndër vendet më të dobëta në Evropë për luftën kundër duhanit

Raporti evropian: Zvicra dështon në luftën kundër duhanit

Sipas një vlerësimi evropian, Zvicra zë vendin e 36-të nga 37 shtete për politikat kundër duhanit. Raporti kritikon ligjet me boshllëqe dhe faktin se vendi ende nuk ka ratifikuar konventën kryesore të OBSH-së për kontrollin e duhanit, transmeton albinfo.ch.

Zvicra renditet ndër vendet me politikat më të dobëta kundër duhanit në Evropë, sipas Tobacco Control Scale (TCS), një indeks që krahason masat e vendeve evropiane për kontrollin e konsumit të duhanit.

Nga 37 shtete të përfshira në renditje, Zvicra pozicionohet në vendin e 36-të. Vetëm Bosnje e Hercegovina është renditur më keq.

Raporti vlerëson se, ndonëse gjatë vitit 2025 janë miratuar disa ndryshime të kufizuara në ligjin për reklamimin e produkteve të duhanit, të cilat do të hyjnë në fuqi në vitin 2027, legjislacioni zviceran vazhdon të ketë boshllëqe të konsiderueshme.

Sipas TCS-së, Zvicra mbetet gjithashtu i vetmi vend nga 37 shtetet e analizuara që ende nuk e ka ratifikuar Konventën Kuadër të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kontrollin e Duhanit, dokumenti kryesor ndërkombëtar për luftën kundër konsumit të duhanit./Albinfo.ch