Futboll

Kosova mëson kundërshtarin në play-off të Kupës së Botës 2027 për femra

Në selinë e UEFA-s është hedhur sot shorti i fazës “play-off” të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027 në futbollin e femrave, ku për herë të parë në histori pjesë e kësaj faze është edhe Kombëtarja e Kosovës.

Në këtë ceremoni, Federata e Futbollit e Kosovës u përfaqësua nga shefja e futbollit të femrave, Valbona Gashi Uka, si dhe trajnerja e Kombëtares A, Xhuli Berisha.

Sipas shortit, “Dardanet” në gjysmëfinalen e “play-off”-it do të përballen me Austrinë. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 9 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa takimi i kthimit më 13 tetor në Austri.

Në rast kualifikimi, Kosova do të përballet në finalen e “play-off”-it me fituesin e çiftit Izrael – Zvicër. Ndeshjet vendimtare janë paraparë të zhvillohen më 1 dhe 5 dhjetor.

Ky është një sukses historik për futbollin e femrave në Kosovë, pasi “Dardanet” siguruan pjesëmarrjen në këtë fazë pas paraqitjeve të suksesshme në Ligën C, ku përfunduan të parat në grup dhe siguruan gjithashtu promovimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm kualifikues.