Kosova

Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato

Abdixhiku: "Mërgata jonë ka dhënë shumë për këtë vend; është koha që shteti t’ia kthejë këtë kontribut me respekt, rregull dhe vizion"

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidat i kësaj partie për kryeministër të vendit, Lumir Abdixhiku ka zhvilluar sot një takim me bashkatdhetarët e Zvicrës, në Grenchen të Kantonit Solothurn. Me këtë rast albinfo.ch i ka marrë atij një intervistë ku, i pari i LDK-së flet për gjendjen në elektoratin e partisë në Zvicër, për specifikat e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet kosovare, nevojën për këtë pjesëmarrje etj.

albinfo.ch: Ju po merrni pjesë në një takim me bashkatdhetarët, kësaj radhe në Zvicër. Çfarë keni për t’u premtuar/ofruar atyre në rast se do të udhëhiqni me qeverinë e Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit?

Lumir Abdixhiku: Takimet me bashkatdhetarët tanë në Zvicër dhe kudo në diasporë nuk janë pjesë formale e fushatës, por vazhdimësi e një raporti historik që LDK e ka ndërtuar me mërgatën qysh nga vitet më të vështira për Kosovën. Ajo që synojmë është normalitet shtetëror, institucione funksionale dhe një Kosovë që i trajton bijtë e bijat e saj jashtë vendit jo vetëm si burim votash apo remitencash, por si partnerë realë të zhvillimit.

Qeveria që synojmë ta udhëheqim pas 28 dhjetorit do ta ketë mërgatën pjesë të politikave publike: përmes lehtësimit të investimeve, garantimit të sigurisë juridike për kapitalin e tyre, përfshirjes së profesionistëve të diasporës në sektorë strategjikë dhe krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm për ruajtjen e lidhjes kulturore, arsimore dhe ekonomike me Kosovën.

Mërgata jonë ka dhënë shumë për këtë vend; është koha që shteti t’ia kthejë këtë kontribut me respekt, rregull dhe vizion. Në planin tonë qeverisës, mërgata zë vend të veçantë. Kemi paraparë organizimin e qëndrueshëm të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e mërgatës, si investim në identitet, gjuhë dhe lidhje afatgjatë me Kosovën. Po ashtu, parashohim hapjen dhe fuqizimin e qendrave kulturore shqiptare në diasporë, si hapësira të ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore, por edhe si ura të komunikimit me shoqëritë ku bashkatdhetarët tanë jetojnë e veprojnë.

Një shtyllë e rëndësishme e vizionit tonë është edhe diplomacia e mërgatës; përfshirja e profesionistëve, sipërmarrësve dhe aktivistëve tanë në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Mërgata është pasaporta më e fuqishme e Kosovës në botë dhe ne synojmë ta vendosim Kosovën më qartë në hartën politike, ekonomike dhe kulturore ndërkombëtare, përmes vetë bijve dhe bijave të saj.

albinfo.ch: Në opinionin e Kosovës ka një debat lidhur me pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje. Si u përgjigjeni zërave skeptikë dhe mohues që e kundërshtojnë këtë pjesëmarrje?

Lumir Abdixhiku: Diaspora është pjesë përbërëse e kombit dhe e shtetit të Kosovës. Ajo kontribuon ekonomikisht, politikisht dhe shoqërisht çdo ditë, prandaj pjesëmarrja e saj në zgjedhje nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese. Ta mohosh këtë të drejtë do të thotë ta shkëpusësh një pjesë vitale të shoqërisë nga proceset demokratike të vendit të vet. Për më tepër, diaspora ka qenë gjithmonë ndër shtyllat kryesore të shtetndërtimit të Kosovës – nga vitet e rezistencës paqësore, te çlirimi dhe konsolidimi i shtetit.

Demokracia forcohet duke përfshirë, jo duke përjashtuar. Ky është parimi ynë. Fatkeqësisht, në të kaluarën kemi pasur raste të keqpërdorimit të votës në diasporë. Pamjet dhe videot e zyrtarëve partiakë duke mbushur qindra fletëvotime nuk duhet dhe nuk guxojnë të përsëriten më. Këto fenomene e dëmtojnë besimin dhe e njollosin procesin demokratik. LDK ka qenë dhe mbetet garantuese e votës së lirë, të fshehtë dhe të ndershme të mërgatës.

Ne kemi kërkuar dhe do të kërkojmë mekanizma më të fortë mbikëqyrjeje, transparencë të plotë dhe përgjegjësi ligjore për çdo shkelje. Demokracia nuk mbrohet vetëm me të drejtën për të votuar, por edhe me garancinë që vota të mos vidhet.

albinfo.ch: Kundërshtarët e pjesëmarrjes shpesh e lidhin këtë me rivalitete partiake, pasi, sipas tyre, “diaspora, duke votuar më shumë për Vetëvendosjen, po prish balancat” në jetën politike në Kosovë. Çfarë do të thoshit ju lidhur me këto kundërshtime?

Lumir Abdixhiku: Ky është një debat i gabuar dhe i padrejtë ndaj mërgatës. Diaspora nuk i prish balancat demokratike; ajo i pasqyron ato. Nëse një parti apo një klasë politike ndjehet e cenuar nga vota e mërgatës, problemi nuk është diaspora, por mungesa e besimit ndaj politikave të veta. LDK nuk e sheh mërgatën përmes interesit elektoral afatshkurtër. Ne e shohim si pasuri kombëtare dhe si zë të rëndësishëm demokratik. Demokracia nuk funksionon duke përjashtuar, por duke përfshirë.

albinfo.ch: LDK ka pasur tradicionalisht elektorat të madh në diasporë.Megjithatë në dy-tri palë zgjedhjet e fundit, kanë qenë partitë tjera që kanë marrë më tepër vota në diasporë. Si e shikoni ju këtë zhvillim?

Lumir Abdixhiku: Është e vërtetë që ka pasur një periudhë shkeputjeje mes një pjese të mërgatës dhe LDK-së. Ne këtë nuk e mohojmë. Por nga ardhja ime në krye të LDK-së, në vitin 2021, ka nisur një organizim sistematik, serioz dhe i vazhdueshëm i mërgatës.

Në atë kohë, LDK kishte vetëm 16 nën-degë aktive në diasporë. Sot, falë punës dhe angazhimit të madh të strukturave tona kemi arritur t’i rrisim ato në 76 nëndegë aktive, një zgjerim i paprecedentë në historinë e partisë. Rezultatet kanë ardhur.

Në zgjedhjet e fundit nacionale, LDK ka marrë gati 20 mijë vota nga mërgata. Ndërsa në zgjedhjet lokale të këtij viti, LDK doli partia e parë për nga votat e diasporës me plot 30.25%. Këto janë dëshmi se lidhja po rikthehet, mbi bazë pune, respekti dhe përfaqësimi real.

albinfo.ch: A mund të jepni një prognozë të përafërt për rezultatin e LDK-së në këto zgjedhje?

Lumir Abdixhiku: Në diasporë, presim mobilizim më të madh se në zgjedhjet e kaluara, sepse këtë herë mërgata nuk po shihet vetëm si votuese, por si partnere e barabartë.

albinfo.ch: A ka LDK këtë vit kandidatë nga diaspora?

Lumir Abdixhiku: Po. LDK këtë vit ka pesë kandidatë nga mërgata, njerëz që jetojnë dhe veprojnë prej vitesh jashtë vendit, me përvojë profesionale dhe lidhje të fortë me Kosovën. Për më tepër, LDK ka dëshmuar se nuk e përdor mërgatën vetëm si mjet elektoral, por e integron atë në udhëheqje. Rasti më i mirë është Kryetari aktual i Prishtinës, i cili erdhi nga Londra dhe sot udhëheq Kryeqytetin. Kemi edhe kryetarë komunash dhe drejtues institucionalë me prejardhje nga diaspora. Ky është modeli ynë: përfaqësim real, jo simbolik.