Shqipëria
Aeroporti i Tiranës i pari në rajon për vitin 2025
Të dhënat rajonale tregojnë se “Tirana International Airport” është më i madhi në rajon, duke përpunuar 11.64 milionë pasagjerë në vitin 2025
Një dekadë më parë, Shqipëria ishte në lajme për çmimet e larta të biletave të avionëve, që ishin mesatarisht mbi 200 euro për një udhëtim vajtje-ardhje.
Në rajon, sidomos në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, hyrja e operatorëve me kosto të ulëta, kishte bërë që çmimet e biletave të ishin më të lira, edhe nën 100 euro.
Shumë shtetas shqiptarë nuk “përtonin” t’i hipnin makinës në grupe e të shkonin në Shkup, Podgoricë, apo dhe Prishtinë për të udhëtuar në Evropë. Edhe agjencitë turistike e përdornin rajonin për udhëtime turistike, si në Barcelonë nga Shkupi, duke siguruar dhe transportin me autobus deri në aeroportin e shtetit fqinjë, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.
Tashmë situata ka ndryshuar tërësisht. Mund të ndodhë shpesh që në avion teksa udhëton nga apo drejt Rinasit të dëgjosh të flitet në gjuhën e Ballkanit, apo të hasësh shumë shtetas nga Kosova.
Udhëtarë nga Mali i Zi, Kosova, apo dhe Maqedonia e Veriut po përdorin tani Rinasin si një tranzit për të udhëtuar në Evropë, duke shfrytëzuar afërsinë gjeografike, çmimet e lira dhe numrin e lartë të destinacioneve.
Sipas të dhënave zyrtare nga TIA, në vitin 2025 fluturuan nga dhe drejt Rinasit, 555 mijë shtetas nga rajoni, që përbëjnë rreth 5% të totalit të pasagjerëve, ose 12% të lëvizjeve nga ajri të shtetasve shqiptarë, sipas të dhënave nga INSTAT, të përpunuara nga “Monitor”.
Në vend të parë ishin shtetasit e Kosovës, me 305 mijë, të ndjekur nga ata të Malit të Zi me 139 mijë dhe një tendencë në rritje në 2025-n ishin shtetasit nga Maqedonia e Veriut, me 111 mijë, me zgjerim prej 18% nga viti i mëparshëm.
Në fillim të vitit 2025, ne kemi pozicionuar Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës si një nyje rajonale. Ky pozicionim erdhi si pasojë e numrit të madh të destinacioneve që ne ofrojmë, krahasuar me aeroportet e vendeve fqinje”, thotë Manjola Kaso, Drejtoreshë për Zhvillimin e Aviacionit dhe Marketing, e TIA-s.
“Elementi shtesë që na dallon është numri i lartë i frekuencave për destinacione kyçe strategjike si Londra, Roma, Frankfurti, Milano, Vjena, etj., duke u ofruar udhëtarëve fleksibilitet më të madh dhe mundësi më të mira lidhëse”, pohon ajo.
“Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po shërben gjithnjë e më shumë si një portë e rëndësishme hyrëse për udhëtarët nga rajoni më i gjerë, përfshirë Kosovën dhe Malin e Zi. Ndërsa Shqipëria mbetet tregu kryesor, një pjesë gjithnjë në rritje e pasagjerëve vjen nga vendet fqinje, të tërhequr nga tarifat konkurruese, disponueshmëria e linjave dhe frekuenca e fluturimeve.
Kjo tendencë nënvizon rolin në rritje të Tiranës si një nyje rajonale e aviacionit”, thotë Ian Malin, drejtor komercial i “Wizz Air”, operatorit ajror më të madh në vend, me rreth 54% të tregut të fluturimeve.
Të dhënat rajonale tregojnë se “Tirana International Airport” është më i madhi në rajon, duke përpunuar 11.64 milionë pasagjerë në vitin 2025. Serbia, me aeroportin kryesor “Nikola Tesla” në Beograd kishte 8.9 milionë pasagjerë.
Në vend të tretë është Kosova me 4.6 milionë pasagjerë.
Pozicioni i Rinasit si një nyje rajonale pritet të përforcohet dhe më tej pas fillimit të lidhjeve direkte ndërkontinentale me Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që parashikohet të nisin në 2026-n. Krahas udhëtarëve vendas, treg i synuar janë dhe vendet e tjera të rajonit.
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
SHKA “17 SHKURTI” – Një shtyllë e ruajtjes së kulturës dhe identitetit shqiptar në Austri Shoqëria Kulturo – Artistike “17 SHKURTI”, është një emër me domethënie të veçantë historike e... -
Lea Ypi prezanton librin e saj të fundit në Literaturhaus München -
Goldify organizon seminar për rrjetet sociale në Zvicër, nga prania online te rritja e biznesit -
Turne shahu në Vjenë për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës -
Kur jeta rrëfehet përmes letrave
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Tani parukierët kërkojnë pagesë për mosparaqitjet Mosparaqitjet po bëhen një problem në rritje për bizneset zvicerane. Kemi dëgjuar tashmë për restorante që... -
Studimi në Universitetin e Bernës: Kanceri i maceve mund të ndihmojë njerëzit -
Norvegjia kryeson, Zvicra dhe Austria shkëlqejnë në Lojërat Olimpike Dimërore 2026 -
Jehona Kicaj prezanton romanin e saj “ë” në Cyrih, Bazel dhe Thun -
Zvicra nuk paguan ndihmë për personat me aftësi të kufizuara që jetojnë jashtë vendit













