Kosova
Ambasadori amerikan: Grupi i armatosur ishte i trajnuar dhe i organizuar
“Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar”, deklaroi Hovenier
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të martën se grupi i armatosur që sulmoi të dielën policinë e Kosovës në veri nuk kishte të bënte me ndonjë grup qytetarësh të mbledhur spontanisht, por ishte grup i trajnuar dhe organizuar.
Ai i bëri këto komente pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dy ditë pasi një grup personash të armatosur sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër, përcjell albinfo.ch.
“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju i keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të ndriçohet dhe ata të mbahen përgjegjës”, tha ambasadori Hovenier.
Ai tha se institucionet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara po punojnë bashkë me ato të Kosovës dhe partnerëve të tjerë për të sqaruar gjithçka që ka ndodhur si dhe motivet e ngjarjeve të së dielës.
Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë. Kryeministri Kurti tha se grupi i armatosur kishte mbështetjen e autoriteteve në Serbi. Zyrtarët në Beograd mohuan ndërkaq çfarëdo lidhjeje me grupin.
Një ditë më parë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke e dënuar sulmin tha se “policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për të siguruar zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës”. Sekretari Blinken theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë mirënjohëse për bashkërendimin e afërt të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe misionin e NATO-s në Kosovë, në veçanti për ofrimin e sigurisë për civilët në vendin e ngjarjes”.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill, i cili ishte në takim me presidentin serb, tha gjatë një debati të organizuar në Beograd se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme.
“Ishte një ngjarje tragjike dhe ne të gjithë duhet të dënojmë vrasjen e një pjesëtari të policisë së Kosovës. Gjithmonë është për keqardhje humbja e jetëve, por mendoj se është e rëndësishme që të vazhdojmë me procesin politik. Mendoj se po zhvillohen procese për të nxitur më tej dialogun”, tha ai.
Diplomatët perëndimorë po u bëjnë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprime dhe retorika që mund të nxisin tensione të mëtejshme dhe të kthehen në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Të hënën i dërguari i evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe këshilltarët diplomatikë të udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, diskutuan për situatën në Kosovë dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit dhe situatën në veri.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se janë vënë në përpjekje për takime të reja në Prishtinë dhe Beograd në orvatje për ripërtëritjen e bisedimeve, raundi i fundit i të cilave që u mbajt më 14 shtator në Bruksel, nuk shënoi ndonjë përparim.
E-Diaspora
-
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër zgjedh kryetarin e ri dhe mbyll me sukses simpoziumin shkencor Kuvendi u zhvillua në kuadër të një simpoziumi shkencor, i cili u përmbyll me sukses dhe... -
Ka nisur Simpoziumi i 7-të i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës -
SHKA “Ilirët” nga Lozana, sot me program artistik në Monthey -
Folklori shqiptar mahnit publikun në festivalin “Vallet bashkojnë” në Stokholm -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë
Jeta në Zvicër
-
Nestlé raporton vjedhjen e 12 tonëve KitKat në Evropë Një ngarkesë e madhe prej 12 tonësh KitKat – mbi 400,000 çokollata – u vodh javën... -
Zyra zvicerane e migracionit shkurton vendet e punës për shkak të pakësimit të mbërritjeve të azilkërkuesve -
Zviceranët dyshojnë në përgatitjen ushtarake të vendit, kërkojnë rritje buxheti -
Reaktori bërthamor Gösgen rifillon operacionet pas një viti mbyllje -
Ka nisur Simpoziumi i 7-të i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës













