Sport

Armand Duka kandidon për kreun e FSHF-së, konkurrent me Bashkim Finon

Armand Duka do të kërkojë mandatin e pestë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Presidenti aktual e kishte konfirmuar edhe më herët kandidaturën e tij, por tashmë e ka zyrtarizuar përmes rrjeteve sociale, përcjell albinfo.ch.

“Ndihem jo vetëm i detyruar por mbi të gjitha i vlerësuar dhe i respektuar që një pjesë e konsiderueshme e komunitetit të futbollit dhe anëtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit ka kërkuar rikandidimin tim në rolin e presidentit të këtij institucioni. Pas konsultave me faktorë të rëndësishëm dhe grupe interesi që përfaqësojnë të gjitha kategoritë, moshat dhe gjinitë vendosa të rikandidoj i bindur se të gjithë bashkë përfshirë dhe ju që nuk keni të drejtë vote mund të vazhdojmë se bashku një rrugë e cila në mënyrë të pashmangshme na ka dërguar te progresi”, ka shkruar Duka.

Edhe ish-kryeministri Bashkim Fino ka dorëzuar mandatin e deputetit dhe është gati të kandidojë për postin kryesor drejtues të futbollit shqiptar.  Zgjedhjet do të mbahen më 7 shkurt në qytetin e Durrësit ku presidenti do të përcaktohet nga votat e 66 klubeve dhe shoqatave anëtarëve të Federatës, me formulën një anëtar një votë.