E-Diaspora
Autorë shqiptarë dhe austriakë, së bashku në një platformë
U promovuan veprat “Iliricum” dhe “Shenja jete”. Peter.P. Waplinger, poet austriak: “dosja e 100 të burgosurve politikë shqiptarë; Roland Bimo: ”të punojmë në afirmimin tonë si evropianë...”, I. Lladrovci: “Austria historikisht i ka përkrahur shqiptarët”
Në Qendrën Ndërkulturore (IZ) në Vjenë u mbajt një promovim dhe lexim letrar nga autorë shqiptarë e austriakë. Në këtë mbrëmje ishin prezentë edhe mysafirë që nderuan programin, si: Gjergj Dedaj, zv. Ministër në Qeverinë e Kosovës; Roland Bimo, ambasador i Shqipërisë në Austri; Imer Lladrovci, konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri. Programin e udhëhoqi në të dy gjuhët moderatorja Jehona Muja-Sukaj. Tubimin e hapi nikoqiri, drejtori i Qendrës Ndërkulturore (IZ) Mag.Gerhard Moßhammer.
Ai mes tjerash tha: “Në qëllimin tonë qëndron jeta e përbashkët e kulturave të ndryshme, të mësojmë nga njëri tjetri, këtu ne jemi të hapur për aktivitete të ndryshme nga të gjitha shoqatat e kombeve të cilat jetojnë në Austri. Jam i gëzuar që sot gjendemi në këtë paraqitje programore. Tani kemi përvojë nga projektet që kishim në Shqipëri dhe Kosovë, projekte arsimore ndërkombëtare në Evropë me çka kemi synuar që të takojmë të rinj dhe të shkëmbejmë përvoja. Kultura dhe arti janë metodat tona të takimit të të rinjve, shkëmbimet mes tyre janë rrugëtimi ynë. Jam i gëzuar që sot këtu do të prezantohen libra dhe lexohen poezi”.
Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri përshëndeti Besim Xhelili, kryetar. “Ne, prej tri vitesh jemi munduar me aktivitetet tona të prezantojmë një pamje tjetër nga ne, të prezantojmë vlerat tona letrare dhe kulturore, para mërgimtarëve tanë dhe para vendasve. Na vjen mirë të shohim veten si pjesë konstruktive e shoqërisë ku jetojmë dhe të japim kontributin tonë në të gjitha sferat e jetës”.
Ndërsa ambasadori i Shqipëris në Vjenë, Roland Bimo: “Vet prezenca ime sot këtë në emër të ambasadës së Shqipërisë e tregon sa shumë rëndësi ka promovimi i librit dhe leximi letrar. Ne duhet të punojmë në afirmim si evropianë që jemi, në ngritjen e imazhit tonë”.
Imer Lladrovci në fjalën e tij mes tjerash tha: ”Shpresoj se aktivitete të tilla kulturore do të mbahen gjithandej Austrisë ku ka shqiptarë në promovimin e vlerave kulturore. Austria historikisht i ka përkrahur shqiptarët. Diaspora gjithmonë ka luajtur rol me rëndësi në çështjen kombëtare dhe disa herë ka marrë vendime me rëndësi. Tani kemi mundësi më të mëdha që t’i bashkojmë idetë dhe veprimet si individë dhe si grupe kudo që ka shqiptarë në botë. Një mbrëmje e tillë tregon se shqiptarët janë mirë të organizuar dhe kanë traditë, janë një komb i vjetër në Ballkan dhe padrejtësisht janë ndëshkuar”.
Anton Marku prezantoi antologjinë “Iliricum” në gjuhën gjermane. “Para dy vjetëve, me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar krahas botimit në gjuhën shqipe “Iliricumi” botohet edhe në gjuhën gjermane ku janë të prezantuar 26 autorë shqiptarë të cilët vijnë nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët”, tha Marku. Më tutje ai analizoi përmbajtjen dhe motivet e krijuesve të shumtë nga radhët e poetëve, shkrimtarëve, publicistëve, piktorëve, skulptorëve e studiuesve të fushave të ndryshme.
Poeti i njohur austriak Peter Paul Wiplinger prezantoi librin e tij “Lebenszeichen”, “Shenja jete” të përkthyer në shqip nga Ferdinand Laholi. Wiplinger është njëri ndër shkrimtarët më të njohur në Austri, hapësirat gjermanishtfolëse dhe më gjerë. ”Jam tani e 25 vjet në kryesinë e Lidhjes për Mbrojtjen e Interesave të Autorëve në Austri e cila ka 2500 autorë/e. Që nga fillimi kam iniciuar grupin për platformën e cila do mblidhte autorët që krijojnë në gjuhët tjera nga grupet etnike autoktone sllovenët, kroatet, hungarezët, çekët, sllovakët dhe krijuesit nga të tjerët dhe secila gjuhë është përfaqësuar. Për mua ishte me rëndësi që të ndihmoj komunikimin e atyre që shkruajnë në gjuhën gjermane dhe atyre që shkruajnë në gjuhët tjera. Kjo është një çështje politike kulturore e aktivitet kulturor. Me këto funksione që kisha pata marrëdhënie të mira edhe me Ministrinë e Mësimit e Kulturës dhe Ministrinë për Çështjet Evropianë- të jashtme. Në emër të lidhjes ju përshëndes dhe ju uroj sukses.
Nisur nga platforma jonë, z. Xhelili e kam propozuar dhe tani është anëtar edhe i Lidhjes sonë dhe të premten që vjen, pas bisedës me ju, do ta diskutojmë në kryesinë tonë çështjen anëtarësimit të të gjithë krijuesve nga radhët e Lidhjes Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Lidhjen tonë si pjesë e autorëve në Austri. Unë shpresoj në thellimin e bashkëpunimit mes dy Lidhjeve tona”, tha Wipplinger.
Ai foli edhe lidhur me aktorin e madh Aleksandër Moisiu i cili, që kur e kishte dëgjuar nga disku me zërin e tij të ruajtur akoma, e kishte impresionuar shumë. “Unë në vitet 1963dhe 1964 isha në Kosovë dhe regjionet shqiptare në Shkup, Strugë, Tetovë dhe nga ato udhëtime lindi roli ndërmjetësues mes kulturave. Për mua ishte shumë e rëndësishme njohja me disa personalitete shqiptare, ndër ta ishte Ibrahim Rugova me të cilin u takova disa herë në Slloveni dhe një herë në Vjenë dhe me poeti Ali Podrimja.
Një ngjarje tjetër lidhur me Kosovën ishte Dosja e personaliteteve shqiptare që ishin në burgje, të dënuar politik në Prishtinë të cilën e mora ku ishin përveç emrave të viktimave edhe emrat e xhelatëve të tyre. Këtë dosje lidhur me keqtrajtimet e mbi 100 personalitet të burgosur dhe izoluar shqiptarë ia dorëzova Dr.Alois Mock-ut , atëherë ministër i punëve të jashtme të Austrisë. Atëherë ishte ministër i ish Jugosllavisë B. Llonçar i cili i hidhte poshtë të gjitha ato fakte mbi keqtrajtimin dhe burgosjen e shqiptarëve. Në atë kohë i thash ministrit Mock, zoti ministër, kur të bisedoni herën tjetër mbi këtë temë, i tregoni atij zotërisë (Llonçar) se ne dimë të dallojmë propagandën, gënjeshtrën dhe të vërtetën, ju lutem ia jepni këtë dosje me fakte”, evokoi Wipplinger.
Më tutje foli edhe për rolin e shkrimtarit në shoqëri. “Unë jam ulur këtu dhe jam një poet politik dhe e kuptueshme një njeri politik. Disa poetë që shkruajnë çka do dhe sa për një karriere për mua janë të pakuptimtë. Çdo libër i pa lexuar është pa vlerë. Libri kërkon lexues, kërkon mendimtarë kritikë, kërkon reklamues, dhe ne jemi reklamues dhe në konfrontim me ideologjitë tjera. Pika kyçe e librit “Shenjë jete” është njeriu”, ka thënë në fund poeti austriak.
Me lexime poetike në gjermanisht dhe shqip u paraqitën Ragip Dragusha, Anton Marku, Peter Paul Wiplinger dhe Besim Xhelili.
Në fund IZ organizoi koktej rasti për dashamirët e artit, ku u bisedua nga afër me shumë krijues.
Hazir Mehmeti, Vjenë
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” Vlashent Sata, një identitet artistik që harmonizon rrënjët me estetikën bashkëkohore. Intervistë me artistin që ndërthur... -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil
Jeta në Zvicër
-
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 Rregullat e reja mbi reklamimin e duhanit për të mbrojtur fëmijët, të miratuara nga parlamenti zviceran... -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026 -
Zvicra nënshkroi kontratën për tetë avionët e parë F-35 -
Pse autoritetet e Cyrihut po i anashkalojnë intervistat për natyralizim?












