Lajme
Balerinët kosovarë me tri performanca në Cyrih
“Oh my God” është shfaqja me të cilën Trupa e Baletit e Kosovës do të prezantohet në festivalin “Zürcher Theater Spektakel”
Skena e ngritur buzë liqenit të Cyrihut do të jetë “nikoqire” e balerinëve, të cilët për herë të parë do të kenë rastin të dërgojnë jashtë Ballkanit një fragment nga arti i lëvizjeve që zhvillohet në Kosovë, raporton koha.
Para se të niset për Cyrih, shfaqja e realizuar nga koreografi holandez Arthur Kuggeleyn do t’i servohet edhe një herë publikut kosovar.
Ahmet Brahimaj, drejtor i Trupës së Baletit të Kosovës, ka thënë se nga mesi i muajit balerinët do të nisin përgatitjet për paraqitjen në shtetin zviceran.
“Nga data 19 do të fillojmë me provat për ta përforcuar edhe më shumë shfaqjen dhe para se të nisemi do të kemi edhe një reprizë në Kosovë”, ka thënë Brahimaj, derisa ka shtuar se balerinët do të performojnë në Cyrih më 31 gusht dhe 1 e 2 shtator.
Duke vlerësuar rëndësinë e prezantimit në festivalin me traditë tridhjetëvjeçare, Brahimaj ka thënë se skena në të cilën do të inskenohet “Oh My God” i përshtatet natyrës së shfaqjes.
“Kemi parë fotografitë e skenës, e cila është e vendosur mbi liqen dhe ma merr mendja që edhe shfaqja është e atij stili që kapet gjithkund dhe i përshtatet jashtëzakonisht skenës”, ka thënë Brahimaj.
Ai ka shtuar se “Züricher Theater Spektakel” është festival i cili grumbullon teatro nga vende të shumta të botës dhe nuk ka karakter garues.
“Është festival në të cilin prezantohen trupa të stileve të ndryshme të vallëzimit. Për ne është nder i madh që kemi arritur të jemi pjesë e këtij festivali dhe është mundësi e mirë që të takohemi me njerëz të teatrit dhe të krijojmë lidhje të reja”, ka thënë ai.
Brahimaj ka shtuar se përzgjedhjen e shfaqjes “Oh My God” e ka bërë vetë selektori i festivalit dhe është i bindur që do të pëlqehet nga publiku zviceran.
“Selektori i ka parë disa nga shfaqjet tona, por këtë e ka përzgjedhur, por edhe ne mendojmë se kjo i flenë natyrës së festivalit, pasi është shfaqje aktive, ku për 45 minuta balerinët janë gjithë kohën në skenë”, ka thënë ai.
Për balerinën Behie Murtezi, pjesëmarrja në këtë festival është e një rëndësie të veçantë.
“Personalisht e vlerësoj shumë ftesën që na është bërë. Është kënaqësi të marrim pjesë në një festival kaq të madh, që ka një skenë gjigante verore, në të cilën secili artist do të kishte pasur dëshirë të performojë”, ka thënë Murtezi, derisa ka shtuar se Trupa e Baletit e Kosovës do të prezantohet me një shfaqje mjaft të suksesshme.
I themeluar në vitin 1980 si vendtakim ndërkombëtar i teatrove të pavarura, “Zürcher Theater Spektakel” për më shumë se 30 vjet ka qenë skenë ku kanë shkelur trupa të njohura botërisht.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vënë në funksion 23 kuti postare në shtete të... -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi -
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato
Jeta në Zvicër
-
Të paktën gjysma e akullnajave të botës do të zhduken deri në vitin 2100 Edhe zhdukja e një akullnaje të vogël me një kontribut të ulët të shkrirjes së akullnajave... -
Uber: Trendet e përdoruesve zviceranë në vitin 2025 -
Sondazh: Zviceranët duan të paguajnë më pak për shërbimet dixhitale -
Rinovimet në aeroportin e Bazelit, do të operojë vetëm një linjë -
Pse Zvicra duhet të përqendrohet më shumë te kursimi i energjisë?










