Lajme
Java e Frankofonisë: “La Beauté de l’Âne” në Bernë sjell rrëfimin e Kosovës
Për albinfo.ch Luljeta Ademi
Në kuadër të Javës së Frankofonisë, të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, në Kino Ciné Club u shfaq dokumentari i metrazhit të gjatë “La Beauté de l’Âne”, vepër e regjisores shqiptare-zvicerane Dea Gjinovci.
Mbrëmja nisi me një pritje të organizuar në formën e një apéroje, ku të pranishmit patën mundësinë të shijojnë verërat e Kosovës, duke e shndërruar hapjen e aktivitetit në një prezantim të përzgjedhur të kulturës dhe prodhimit vendor.
Në vijim, të pranishmëve iu drejtua Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Sh.T. Mentor Latifi, i cili vuri në dukje rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë platformë kulturore ndërkombëtare. “Mirë se vini në shfaqjen e filmit “La Beauté de l’Âne” ( ‘Bukuria e Gomarit’), e cila zhvillohet sot në kuadër të Javës së Gjuhës Franceze dhe të Frankofonisë në Bernë. Jemi të lumtur që për herë të parë marrim pjesë në këtë Javë me një film zvicerano-kosovar. Dëshiroj të falënderoj zonjën Isabelle Biedermann për mbështetjen, si dhe regjisoren Dea Gjinovci dhe distributorin ‘Firsthand Films’ që mundësuan këtë shfaqje edhe para premierës së saj në Bernë.”
Ai rikujtoi gjithashtu edhe pozicionimin e Kosovës në hapësirën frankofone:
“Vendi ynë është bërë anëtar vëzhgues i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në vitin 2014 dhe në vitin 2018 fitoi statusin e anëtarit të asociuar. Përmes projekteve kulturore dhe mediale, si reportazhi ‘Destination Francophonie’ i realizuar nga TV5MONDE, publiku ka mundësi të njohë më nga afër Kosovën. Është një vend që ia vlen të vizitohet dhe, sipas Gallup Global Safety Report 2025, renditet ndër vendet më të sigurta në Evropë.”
Dokumentari “La Beauté de l’Âne” trajton realitetin e Kosovës së pasluftës përmes një rrëfimi personal dhe hulumtues. Regjisorja dhe babai i saj rikthehen në fshatin e tij të lindjes, Makermal, një hapësirë e shkatërruar nga lufta, ku kujtesa e banorëve mbetet burimi kryesor i historisë.
Filmi ndjek këtë kthim si një proces kërkimi, duke rikthyer kujtimet e viteve ’50 dhe duke sjellë në vëmendje histori të pathëna, përfshirë edhe zhdukjen e gjyshes së regjisores. Përmes këtij rrugëtimi, ndërthuren dimensioni personal dhe ai kolektiv, duke ofruar një pasqyrë të qëndrueshmërisë së komunitetit përballë traumës.
Me këtë realizim, Dea Gjinovci sjell një qasje të ndjeshme dhe reflektuese ndaj historisë dhe kujtesës, duke e trajtuar të kaluarën si një proces që kërkon rikthim dhe rishqyrtim të vazhdueshëm.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
MPJD u bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin përmes Serbisë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë bashkatdhetarët... -
Suedi: Vritet një i ri nga Kosova, raportohet se ishte kalimtar rasti -
Pse emigrantët po i kthejnë shpinën Gjermanisë -
Thirrje për të rinjtë e diasporës shqiptare dhe Ballkanit: Bashkohuni në Bootcamp-in “Building DiverCity” në Itali! -
Denoncon avokati Koci: Dyshime se një familjeje kosovare iu morën 2000 euro në kufirin Serbi–Kroaci
Jeta në Zvicër
-
Zvicra dhe Austria planifikojnë blerje të përbashkëta të armatimit Zvicra dhe Austria kanë vendosur të thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke planifikuar blerje të... -
Të ardhurat shtesë pa taksa? – Debat në Zvicër për bakshishet -
Nënkontraktorët e DHL-së në Zvicër paralajmërojnë rrezik falimentimi -
Model i ri banimi në Zvicër: Sa më shumë banorë në një apartament, aq më e ulët qiraja -
Një valë e re nxehtësie godet Zvicrën, alarm për valë të nxehti në disa rajone frëngjishtfolëse


















