Kosova

20 vjet Vali Ranch: Një ëndërr që u bë destinacion i njohur turistik në Kosovë

Në një kohë kur turizmi në Kosovë po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje, Vali Ranch shënon një jubile të rëndësishëm – 20 vjet aktivitet. Nga një ide e lindur me shumë përkushtim e investime të diasporës, kompleksi është shndërruar në një nga destinacionet më të njohura turistike dhe hoteliere në vend.

Në një intervistë për albinfo.ch, themeluesi i Vali Ranch, Fehmi Fetahi, flet për fillimet, sfidat, rolin e diasporës, zhvillimin e kompleksit dhe planet për të ardhmen.

Albinfo.ch: Z. Fetahi, Vali Ranch shënon këtë vit 20-vjetorin e themelimit. Si e kujtoni fillimin e këtij rrugëtimi?

Fehmi Fetahi: Kur e kujtoj fillimin, më duket sikur ka qenë dje. Kishim një ëndërr të madhe, por edhe shumë pasiguri. Nuk kishim luksin të gabonim. Çdo investim ishte fryt i punës sonë shumëvjeçare në Zvicër. Besuam se Kosova meritonte një vend ku familjet të ndiheshin mirë, ku natyra dhe mikpritja të ishin në qendër. Kjo ishte ideja jonë dhe vazhdon të jetë edhe sot.

Albinfo.ch: A e kishit imagjinuar se Vali Ranch do të shndërrohej në një nga destinacionet më të njohura turistike në Kosovë?

Fehmi Fetahi: Jo. Nuk kam punuar kurrë për t’u bërë më i madhi apo më i njohuri. Kam punuar që çdo mysafir të largohej i kënaqur. Kur njerëzit kthehen përsëri dhe të rekomandojnë te miqtë e tyre, atëherë e kupton se je në rrugën e duhur. Emri ndërtohet me vite, jo me reklama.

Albinfo.ch: Çfarë përfaqëson për ju ky jubile 20-vjeçar?

Fehmi Fetahi: Është një moment mirënjohjeje. Falënderoj Zotin, familjen time, bashkëpunëtorët dhe mijëra mysafirë që na kanë besuar gjatë këtyre viteve. Pa ta, Vali Ranch nuk do të ishte ky që është sot.

Albinfo.ch: Cili ka qenë çelësi i suksesit të Vali Ranch?

Fehmi Fetahi: Nuk besoj te sekretet. Besoj te puna. Duhet të jesh çdo ditë pranë biznesit, të dëgjosh klientin, të investosh vazhdimisht dhe të mos mendosh se ke arritur gjithçka. Çdo vit duhet të jesh më i mirë se një vit më parë.

Albinfo.ch: Si është transformuar Vali Ranch gjatë këtyre dy dekadave?

Fehmi Fetahi: Ka ndryshuar shumë. Filluam me kapacitete më të vogla, ndërsa sot Vali Ranch është shndërruar në një kompleks të madh turistik dhe hotelier. Çdo investim është bërë gradualisht, duke u përshtatur me nevojat dhe kërkesat e mysafirëve. Sot kompleksi përfshin Park Hotel, Royal Hill Palace, Quin Vali Palace, Sun Garden, Piazzo Giardino, restorantet Romantika, Daris, Steak House, Rubin, Pavion dhe Leon, si dhe qendrën e kalërimit me kuaj. Përveç këtyre, kemi hapësira moderne për organizimin e dasmave, konferencave, eventeve të ndryshme, ambiente rekreative dhe aktivitete për të gjithë familjen. Synimi ynë ka qenë gjithmonë që çdo vizitor të gjejë një përvojë të plotë, cilësore dhe të veçantë në Vali Ranch.

albinfo,ch

Albinfo.ch: Diaspora shqiptare është ndër vizitorët më besnikë të kompleksit tuaj. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Fehmi Fetahi: Diaspora është zemra e Kosovës. Shumë bashkatdhetarë vijnë çdo verë dhe duan të kalojnë kohë cilësore me familjet e tyre. Ne mundohemi t’u ofrojmë një vend ku ndihen si në shtëpi. Besimi që na kanë dhënë ndër vite është përgjegjësi e madhe.

Albinfo.ch: Sa i rëndësishëm ka qenë roli i familjes në ndërtimin e këtij suksesi?

Fehmi Fetahi: Vendimtar. Një biznes familjar nuk ndërtohet nga një njeri i vetëm. Secili ka dhënë kontributin e vet. Kur familja është e bashkuar, edhe biznesi ecën më mirë.

Albinfo.ch: Çfarë ju bën më krenar pas 20 vitesh punë?

Fehmi Fetahi: Më bëjnë krenar njerëzit që na kanë besuar ndër vite. Shumë çifte e kanë festuar dasmën e tyre në Vali Ranch para 15 apo 20 vitesh, ndërsa sot kthehen sërish, këtë herë me fëmijët e tyre. Për mua, ky është suksesi më i madh. Do të thotë se nuk kemi ndërtuar vetëm një biznes, por kemi qenë pjesë e momenteve më të rëndësishme të jetës së tyre dhe kemi krijuar kujtime që zgjasin brez pas brezi.

Albinfo.ch: Si e vlerësoni potencialin e turizmit në Kosovë?

Fehmi Fetahi: Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm. Kemi natyrë, mikpritje dhe gastronomi shumë të mirë. Tani duhet të investojmë më shumë në promovim, në infrastrukturë dhe në cilësinë e shërbimeve. Turizmi është një mundësi e madhe ekonomike për vendin.

Albinfo.ch: Cilat janë planet dhe objektivat për vitet që vijnë?

Fehmi Fetahi: Nuk ndalemi. Kemi ide dhe projekte të reja për të zgjeruar ofertën, për të krijuar më shumë hapësira rekreative dhe për ta bërë Vali Ranch edhe më tërheqës për familjet dhe turistët nga jashtë. Investimi nuk përfundon kurrë.

albinfo,ch

Albinfo.ch: Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që synojnë të ndërtojnë një biznes?

Fehmi Fetahi: Të mos kërkojnë sukses të shpejtë. Të punojnë me ndershmëri, të kenë durim dhe të mos dorëzohen pas pengesës së parë. Rezultatet vijnë kur punon çdo ditë me përkushtim.

Albinfo.ch: Në fund, cili është mesazhi juaj për lexuesit e albinfo.ch dhe diasporën shqiptare?

Fehmi Fetahi: Dua t’i falënderoj për mbështetjen që na kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve. I ftoj që sa herë të vijnë në Kosovë, të vizitojnë vendin e tyre, të mbështesin bizneset vendore dhe të vazhdojnë të investojnë në atdhe. Kosova zhvillohet kur të gjithë japim kontributin tonë.