Botërori 2026

Zvicra pritet të përballet me Iranin në 1/16 e finales së Kupës së Botës

Kundërshtari i ardhshëm i ekipit kombëtar zviceran në Kupën e Botës është praktikisht i vendosur.

Pas ndeshjeve të zhvilluara në natën mes të premtes dhe të shtunës, është bërë pothuajse e qartë se kombëtarja e Zvicrës do të përballet me Iranin në 1/16 e finales së Kupës së Botës, transmeton albinfo.ch.

Sipas llogaritjeve të portalit të futbollit The Athletic, ekziston një 92 për qind mundësi që Irani të jetë kundërshtari i Zvicrës në ndeshjen që do të zhvillohet në natën e 3 korrikut.

Irani siguroi një barazim 1:1 ndaj Egjiptit në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, duke e mbyllur me tre pikë dhe me golavarazh të barabartë. Ky rezultat pritet t’i mjaftojë për kualifikimin në fazën me eliminim direkt, ku me shumë gjasë do të ndeshet me Zvicrën në Vankuver.

Iranianët ishin shumë pranë fitores, pasi shënuan në kohën shtesë, por goli u anulua për një pozicion jashtë loje shumë të ngushtë. Gjatë ndeshjes ata humbën edhe një penallti dhe goditën dy herë traversën.

Megjithatë, ekziston ende një mundësi e vogël, rreth 8 për qind, që Zvicra të përballet me Algjerinë, të drejtuar nga ish-trajneri i saj, Vladimir Petkoviq. Për këtë duhet të plotësohen njëkohësisht tre kushte: Kroacia të humbasë ndaj Ganës, Republika Demokratike e Kongos të mos fitojë ndaj Uzbekistanit dhe Algjeria të mos barazojë me Austrinë.

Nga 495 kombinimet matematikore të mundshme për renditjen e skuadrave të treta në grupe, tashmë kanë mbetur vetëm tetë skenarë të mundshëm. Sipas platformës Football Meets Data, më i mundshmi është ai ku kualifikohen ekipet e vendeve të treta nga grupet B, D, E, F, G, I, J dhe L. /Albinfo.ch