Botërori 2026

A duhej të ndëshkohej Xhaka me karton të kuq? Eksperti i arbitrimit jep verdiktin

Kapiteni i Zvicrës goditi kundërshtarin në vend të topit, por sipas Urs Meier vendimi i gjyqtarit ishte i drejtë

Fitorja e Zvicrës ndaj Kanadasë, që i siguroi kombëtares helvetike vendin e parë në grup në Kupën e Botës, u shoqërua edhe me një moment të diskutueshëm që përfshiu kapitenin Granit Xhaka, përcjell albinfo.ch.

Në një goditje dënimi, Xhaka nuk arriti të godiste topin, por përplasi kundërshtarin Cyle Larin. Gjyqtari brazilian Ramon Abatti vendosi të ndëshkojë me karton të verdhë të dy lojtarët: Xhakën për ndërhyrjen dhe Larinin për largimin e topit pak çaste para ekzekutimit të goditjes së dënimit.

Pas ndeshjes, trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, u shpreh i habitur nga vendimi për t’i ndëshkuar të dy futbollistët.

“Për mua ishte menjëherë e qartë se çfarë kishte ndodhur. Nuk e kuptoj pse gjyqtari u dha karton të verdhë të dyve, veçanërisht kur ata e zgjidhën situatën mes tyre”, tha Yakin.

Megjithatë, ai pranoi se një gjyqtar tjetër mund ta kishte interpretuar ndryshe incidentin.

Ndryshe mendon ish-gjyqtari i njohur zviceran dhe eksperti i arbitrimit, Urs Meier. Sipas tij, vendimi i gjyqtarit ishte plotësisht i saktë.

“Kartoni i verdhë për të dy lojtarët ishte vendimi absolutisht i duhur. Edhe unë do ta kisha gjykuar në të njëjtën mënyrë”, deklaroi Meier.

Ai theksoi se nuk kishte asnjë qëllim nga ana e Xhakës për të goditur kundërshtarin, edhe pse mesfushori zviceran e vazhdoi lëvizjen me forcë gjatë ekzekutimit të goditjes së lirë. Në të njëjtën kohë, sipas tij, edhe Larin u soll në mënyrë josportive duke larguar topin pak para ekzekutimit.

“Po e them këtë jo sepse jam zviceran. Ishte thjesht një situatë e pafat dhe asgjë më shumë”, përfundoi Meier. /Albinfo.ch