Kosova

“Vali Ranch” – Gjilan, i gatshëm për verën turistike 2023

Gatishmëri e shkallës së lartë për pritjen e pushuesve në resortin “VALI RANCH” të Gjilanit. Pritjet janë të mëdha për mërgimtarët dhe familjet e tyre, por pritet të vijnë edhe mysafirë nga Shqipëria dhe trevat e tjera ku jetojnë shqiptarët

Shpeshherë vijmë në dilemë se ku duhet ta kalojmë një javë ose një fundjavë turistike. Dilemat shpesh krijohen nga rrethana të ndryshme, siç janë: largësia, kostoja dhe sidomos oferta që ofron një vend ose një resort turistik. Mërgimtarët, kur vijnë për pushime në atdhe, shpesh mbesin peng i vizitave familjare, ndonjëherë edhe monotone. Turistët e zonave bregdetare, duke qenë të ngopur nga turizmi bregdetar, parapëlqejnë zonat kontinentale. Ta zëmë, një familje durrsake, vlonjate ose ulqinake dëshiron ta vizitojë Kosovën, por edhe këtu krijohen dilema nëse mungojnë ofertat adekuate të resortëve turistikë.

               

Një trend i eksplorimit të pikave turistike në Kosovë

Kohëve të fundit sikur është shtuar interesimi për eksplorimin e pikave turistike në Kosovë, dhe kjo krejt falë reklamave gojore që përfliten nga bashkatdhetarët, mirëpo edhe falë revistës mujore “Albinfo.ch” e cila është bërë ciceroni më besnik i turizmit në Kosovë, dhe jo vetëm.

Padyshim, nëse nuk ka ndonjë preferencë nga ndonjë mik a mikeshë, vizitori kërkon ndihmën e internetit. Në Kosovë ka vende të mrekullueshme për vizitë, qoftë në pjesën perëndimore të vargmaleve të Alpeve Shqiptare apo të Maleve të Sharrit, qoftë edhe në pjesë të tjera të Kosovës me rrafshnalta dhe kodrina të buta, që nga Shala e Bajgorës, në veri, e deri te Malësia e Karadakut dhe ajo e Hashanisë në juglindje të Kosovës.

Shi për këtë, në këtë numër të revistës Albinfo.ch, po ju sjellim një vend tejet turistik, sidomos për ata ose ato që me vete marrin edhe fëmijët. Fjala është për resortin turistik “VALI RANCH” afër Gjilanit. Jo rastësisht thuhet se, nëse njëherë një fëmijë viziton ambientet e këtij resorti, ai gjithsesi do të insistojë për një vizitë të dytë, të tretë e kështu me radhë të këtij vendi atraktiv.

Çka e bën resortin “VALI RANCH” kaq atraktiv?

Sapo kalon portën katrore të hyrjes në “VALI RANCH” ju pret një “Disneyland” kosovar përrallor. Këndi i lojnave për fëmijë është joshja e parë për familjarët që kanë vendosur ta kalojnë një ditë me fëmijë në këtë fshat turistik, në bregoren afër Gjilanit. Kureshtja e fëmijëve përplotësohet me atraksione të tjera të radhës, siç është “Mini catering”, “Mini golf”, vizita e Lamave në kopshtin e kafshëve atraktive, peshqit atraktivë japonezë të llojit “Koi”, si dhe kalërimi mbi “Pony”.

Vizitorët që duan të akomodohen, dhe në “VALI RANCH” të kalojnë më shumë se një ditë, i pret hoteli luksoz me tri nivele dhomash për fjetje, duke filluar nga ato standarde, superiore dhe suita, që shoqërohet edhe me saunë, xhakuzi, shërbim në dhomë etj. Ky standard akomodimi aspak nuk dallon nga hotelet luksoze të Dubrovnikut, Splitit, Romës, Milanos etj. Dhe, jo vetëm kaq: vizitorët kanë edhe përzgjedhjen ditore të restoranteve, siç janë “Romantika” dhe “Steak House”. Sakaq, ju pret edhe “Bodrumi i verës” ku mund të degustoni verëra vendore dhe të importuara, si dhe raki rrushi nga vreshta e këtij rançi.

Sapo përballesh me emrin e këtij resorti, pra me “VALI RANCH”, mendja të shkon te kuajt. Dhe, në stallën e kuajve me standarde evropiane ju pret një numër i madh kuajsh racash të ndryshme, nga vende të ndryshme të botës. Dashamirët e kalërimit mund t’i huazojnë ata dhe, në shoqërim të personelit përkatës, të kalojnë disa orë në shtigjet disakilometërshe malore përbri Liqenit të Përlepnicës, që po ashtu është një atraksion më vete dhe vetëm dy kilometra larg nga “VALI RANCH”.

Vera 2023 dhe gazmendet familjare

“Gjithçka është gati për mysafirët e sivjetshëm; kemi siguruar personel të mjaftueshëm; ndërkaq kamerierët dhe kryekamerierët i kemi përgatitur që të jenë në krye të detyrës, shprehet me besim të plotë pronari i resortit “VALI RANCH”, z. Fehmi Fetahi.

Në objektin luksoz të hotelit gjendet edhe salla e konferencave e pajisur me mobilie luksoze, me kondicionerë klime dhe me mjetet më moderne për komunikim.

Veç kësaj, brenda resortit “VALI RANCH” ka mundësi të shumta për ahengje familjare, fejesa, dasma, ditëlindje dhe ngjarje të tjera, ku mund të akomodohen për ushqim dhe vallëzim qindra mysafirë. Ekskluziviteti i sallave për dasma të krijon një ndjenjë të veçantë, siç janë: salla “Queen Vali Palace”, salla “Royal Hill Palace”, salla “Rubin”, salla “Romantika” etj.

Një mundësi tjetër është hapësira për dasma në ambient të hapur, të rrethuar me drurë dekorativë, lule dhe fontana, e prej ku mund të shijohet perëndimi i diellit mbi vargmalet e “Sharrit”.

Për të sapomartuarit që duan të përjetojnë çaste të paharrueshme, “VALI RANCH” ju ofron Kupolën Romantika me rreth 40 karrige, tavolinën për kurorëzim, verën Prosecco për mirëseardhje si dhe zërimin DJ.

Ushqimet tradicionale si dhe moderne janë një simbiozë e kuzhinës së këtij resorti. Ndonëse resorti gjendet në pjesën kontinentale, restorantet e tij në çdo kohë ofrojnë edhe peshqit e llojit “Kocë”, “Levrek” dhe “Troftë” që sigurohen nga kompani prestigjioze furnitorësh.

Një pikë tjetër referente brenda resortit, pa dyshim, është “Sara Fashion” me fustane nusërie të cilësisë së lartë, të punuar me përkushtim nga qëndistaret tona. Dantellat franceze janë një tjetër vlerë e shtuar e tyre.

Pronari i këtij resorti, z. Fehmi Fetahi, është shembulli më karakteristik i mërgimtarit që paratë e fituara në mërgim i investon në atdhe, duke punësuar kështu 150 punëtorë të rregullt, ndërkaq në sezonin veror edhe deri në 300 punëtorë. Z. Fetahi ka dëshmuar se patriotizmi nuk matet me fjalë të mëdha, por me vepra konkrete, duke qenë model edhe për mërgimtarët tjerë që të investojnë në Kosovë. Ai bashkë me familjarët e tij nga arat djerrina bëri një resort-qytezë, që u ngjason qytezave amerikane që dikur i shihnim në filma.

Vend ideal për ahengje familjare

Brenda resortit “VALI RANCH” ka mundësi të shumta për ahengje familjare, fejesa, dasma, ditëlindje dhe ngjarje të tjera, ku mund të akomodohen për ushqim dhe vallëzim qindra mysafirë. Ekskluziviteti i sallave për dasma të krijon një ndjenjë të veçantë, siç janë: salla “Queen Vali Palace”, salla “Royal Hill Palace”, salla “Rubin”, salla “Romantika” etj.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Foto dhe teksti: Xhevdet Kallaba

Reportazhi është publikuar edhe në magazinën e verës 2023 albinfo.ch