Lajme
BE-ja mirëpret refuzimin e nismës së SVP-së për një “Zvicër me 10 milionë banorë”
Reagimet ndërkombëtare pas votimit në Zvicër për nismën “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë” nisën të vijnë menjëherë pas publikimit të rezultateve, veçanërisht nga Bashkimi Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mirëpriti vendimin e qytetarëve zviceranë dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar forcimin e marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Konfederatës Zvicerane, transmeton albinfo.ch.
“Populli zviceran ka folur”, shkroi von der Leyen në një mesazh në gjuhën angleze në platformën X. Ajo bëri të ditur gjithashtu se kishte pasur një “diskutim të mirë” me presidentin e Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, pa dhënë detaje për vendin dhe kohën e takimit.
Sipas saj, BE-ja dhe Zvicra kanë marrëdhënie të ngushta dhe një partneritet të rëndësishëm, i cili duhet të modernizohet dhe të thellohet në interes të qytetarëve dhe bizneseve të të dyja palëve.
Edhe Norbert Lins, president i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Zvicrën, përshëndeti rezultatin e referendumit. Ai vlerësoi se refuzimi i nismës së paraqitur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP/UDC) i jep një shtysë të re marrëdhënieve mes BE-së dhe Zvicrës, duke larguar “një burim të rëndësishëm pasigurie për marrëdhëniet dypalëshe”.
“Tani duhet të ecim përpara me vendosmëri për paketën e re të marrëveshjeve dypalëshe dhe t’u japim marrëdhënieve tona një bazë të qëndrueshme dhe afatgjatë”, deklaroi Lins.
Në referendumin federal të së dielës, qytetarët dhe kantonet zvicerane hodhën poshtë nismën “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë”. Sipas rezultateve përfundimtare, 54.8 për qind e votuesve votuan kundër saj, ndërsa kundërshtimi ishte i plotë në kantonet frankofone.
Nisma, e mbështetur nga SVP/UDC, synonte të vendoste kufizime lidhur me rritjen e popullsisë së Zvicrës dhe migracionin, duke argumentuar se një vend me rreth 10 milionë banorë do të përballej me presione të mëdha mbi infrastrukturën, mjedisin dhe shërbimet publike.
Rezultati u prit me lehtësim edhe nga Këshilli Federal Zviceran, i cili e konsideroi refuzimin e nismës si një mundësi për të vazhduar politikën aktuale dhe për të ruajtur marrëdhëniet e ngushta ndërkombëtare.
E-Diaspora
-
Pianistja shqiptare Fatjona Maliqi interpretoi veprën monumentale të Bach-ut në Gjermani Artistja shqiptare solli para publikut gjerman “Goldberg Variationen”, një nga kryeveprat më të njohura të muzikës... -
Gjermani
Shqiptarja Lindita Nebiu Hyseni ligjëruese në Universitetin SRH në Mynih -
Suedi
Getoar Luta diplomon në Universitetin prestigjioz të Uppsallës në Suedi -
Panel diskutimi: Gratë në ndërmarrësi dhe pozita udhëheqëse -
Një i ri kosovar paguan për sigurimin e makinës deri 8000 franga më shumë se moshatari i tij zviceran
Jeta në Zvicër
-
Skandal në spitalet e Neuchâtelit: ngacmime psikologjike dhe seksuale në sallat e operacionit Një raport i klasifikuar, i siguruar nga RTS, zbulon se ngacmimi psikologjik dhe ai seksual janë... -
Panel diskutimi: Gratë në ndërmarrësi dhe pozita udhëheqëse -
Një i ri kosovar paguan për sigurimin e makinës deri 8000 franga më shumë se moshatari i tij zviceran -
Parlamenti zviceran rihap derën për energjinë bërthamore -
Zvicër: Votohet garantimi i orareve të aeroporteve përballë interesave të tjera














