Kosova
BE: Kërkesë për formimin e Qeverisë, kemi nevojë për një partner
Në një deklaratë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se BE-ja ka nevojë për një partner në Kosovë, tek ka bërë thirrje për formimin e qeverisë së re, përcjell albinfo.ch.
Orav ka thënë se BE-së i duhet partneri që të mund të bisedojë për hapat konkretë drejt integrimit.
“Ju mund t’i bëni gjërat dhe mund ta çoni vendin tuaj drejt Bashkimit Evropian. Dhe dua të them që argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere presidenten por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se qëndrimi i BE-së për zhvillimet në veri është i qartë. Ka përsëritur se heqja e masave ndaj Kosovës ka filluar, por ka thënë se duhet bashkëpunim i ngushtë për të ecur përpara.
“Mbyllja e institucioneve në veri. Sërish, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë pozicionin e tij në mënyrë private, zyrtare dhe publike. Masat ndaj Kosovës. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ishte këtu vetëm para disa ditësh dhe ajo njoftoi se heqja graduale e masave kundër Kosovës ka filluar. Por për të ecur përpara, na duhet qartësisht një bashkëpunim shumë i mirë dhe i ngushtë me autoritetet këtu”, ka thënë Orav.
Ai ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një temë që duhet të trajtohet seriozisht dhe pa vonesa.
“Një temë për të cilën të gjithë flasin, por që nuk është aq e preferuar për t’u përmendur nga politikanët këtu në Kosovë, është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Por qëndrimi i BE-së është sërish i qartë: duhet të bëhet. Duhet të bëhet dhe është më mirë të bëhet më herët sesa më vonë, për të ecur përpara. Mesazhi im është se ne në BE jemi të gatshëm të ecim përpara dhe shpresojmë shumë që edhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë ai.
Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven, mbështeti thirrjen për formimin e menjëhershëm të qeverisë, duke theksuar se pa pushtet ekzekutiv funksional, përkushtimi për integrim nuk mund të konkretizohet.
“Përfaqësuesja e Lartë Kallas, e përmendur tashmë javën e kaluar, solli lajme të mira për fillimin e heqjes graduale të masave të BE-së, ashtu siç ishte kërkuar nga të gjitha institucionet dhe partitë politike të Kosovës. Dhe si BE, tani kemi nevojë të shohim veprime që kontribuojnë më tej në përafrimin me vlerat dhe standardet evropiane. Më lejoni të tërheq gjithashtu vëmendjen tek plani evropian i rritjes, i përmendur tashmë, një tjetër mundësi madhore për integrimin gradual të Kosovës në BE, një mundësi që tashmë pret veprimet konkrete të Kosovës. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Në këtë pikë, siç e përmenda tashmë, përparësia kryesore është formimi i qeverisë dhe fillimi i menjëhershëm i punës së saj”, ka thënë ajo.
Ambasadorja holandeze vlerësoi përparimin e bërë nga Kosova ndër vite, por ka theksuar se ritmi i reformave është vendimtar për suksesin e integrimit.
Konferenca po organizohet nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike.
Edhe pse në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet më 9 shkurt dhe rezultatet u certifikuan në fund të marsit, Kuvendi ende nuk është konstituuar për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë.
E-Diaspora
-
Stokholm
Filmi shqiptar “Derë e Hapur” shfaqet në Stokholm në kuadër të muajit të Frankofonisë Një histori e fuqishme familjare dhe shoqërore sjell kinemanë shqiptare më afër publikut suedez... -
Nga një fëmijëri e integruar në Cyrih drejt një zëri me peshë në shoqërinë zvicerane -
Thonex: Punonjësi me origjinë shqiptare denoncon racizëm në polici -
Kantoni i Cyrihut i dhuron një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit -
Vjenë
Trupat e pajetë nga tragjedia e Vjenës nisen sot për Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Qeveria Federale planifikon mbrojtjen e të moshuarve nga dhuna Në këtë kuadër, qeveria ka miratuar një program stimulues për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të... -
Këshilli Federal kërkon katër miliardë franga për forcimin e ushtrisë -
Makina godet një grup nxënësish – Mendohet se ka humbur jetën një person -
Çmimet vazhdojnë të rriten: Nafta tani kushton 2.10 franga për litër -
Këshilli Federal propozon masa të reja kundër mungesës së barnave












