Shqipëria

Bien lindjet në Shqipëri me 35% në një dekadë, arsyeja

Një faktor tjetër është edhe rritja e kostove të jetesës, që e bën më të vështirë për familjet e reja të planifikojnë fëmijë

Shqipëria po përballet me një rënie të fortë të lindjeve, e lidhur kryesisht me emigracionin e të rinjve dhe rritjen e kostos së jetesës.

Sipas një analize të publikuar nga Monitor, në periudhën 2015–2025 numri i lindjeve në vend ka rënë me rreth 35%, duke iu afruar pragut psikologjik të 20 mijë lindjeve në vit, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët theksojnë se pas pandemisë kjo rënie është thelluar dhe nuk lidhet vetëm me faktin që familjet po bëjnë më pak fëmijë, por edhe me mungesën e prindërve potencialë, pasi shumë të rinj po largohen nga vendi. Për pasojë, numri i grave në moshë riprodhimi po bie më shpejt se popullsia totale.

Një faktor tjetër është edhe rritja e kostove të jetesës, që e bën më të vështirë për familjet e reja të planifikojnë fëmijë. Ky kombinim i emigracionit dhe presionit ekonomik po krijon një cikël të vazhdueshëm të rënies së popullsisë.

Sipas analizës, shumë qarqe në Shqipëri po humbasin më shpejt “forcën riprodhuese” sesa Tirana, ndërsa në të ardhmen pritet që edhe sektori i arsimit të përballet me tkurrje, për shkak të numrit më të vogël të fëmijëve.