Biznese greke mund të zhvendosen në Shqipëri

Vështirësitë ekonomike nëpër të cilat po kalon Greqia ka bërë që sipërmarrja private e këtij vendi t’i kthejë sytë nga tregu shqiptar. Zv.presidenti i Dhomës së Tregtisë së Selanikut, Janis Virginis, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka.

Gjatë takimit është diskutua për potencialet që ofron Shqipëria si dhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Dua të falënderoj miqtë tanë shqiptarë që po na mbështesin në këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi ynë. Po zhvillojmë bisedime me zyrtarë të lartë në Shqipëri për të parë mundësinë e transferimit dhe të zhvillimit të bizneseve greke, sidomos atyre eksportuese. Shqipëria ofron mundësi të shumta dhe sot unë jam shoqëruar nga 50 përfaqësues biznesesh të mëdha greke, të cilat do të marrin pjesë në panairin Klik Ekspo Grup”, ka thënë Virginis, raportojnë mediat shqiptare.