Lajme
Çdo ditë 140 gra vriten nga dikush i afërt, thotë drejtoresha rajonale e UN Women
Nuk ka asnjë vend në botë që e ka çrrënjosur plotësisht dhunën ndaj grave, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) Belen Sanz Luque, drejtoreshë rajonale e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore.
“Mesatarisht, çdo ditë 140 gra dhe vajza vriten nga një partner ose anëtar i familjes”, thotë Sanz Luque.
Dhuna ndaj grave nuk ndodh në një vakum, shton ajo.
“Gratë dhe vajzat përballen me dhunë për shkak të pabarazive të forta gjinore në pushtet”.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, më 25 nëntor, që shënon fillimin e 16 ditëve të aktivizmit, një fushatë globale kundër dhunës me bazë gjinore, drejtoresha e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore shpjegon pse çdo krizë e re dhe çdo zhvillim i ri sjell rritje të dhunës ndaj grave, çfarë mund të bëjnë shtetet dhe qeveritë për të përmirësuar luftën kundër dhunës ndaj grave, dhe si të arrihet barazi më e mirë gjinore që lidhet drejtpërdrejt me dhunën me bazë gjinore.
Më 2023 u vranë 85.000 gra
Radio Evropa e Lirë: Dhuna ndaj grave është shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në botë. Ky është vlerësimi juaj në UN Women. Duket sikur askund nuk jemi të sigurta. Nuk jemi të sigurta në shtëpi, online, në punë. Si kemi arritur deri këtu, duke jetuar në një mjedis të tillë në vitin 2024?
Sanz Luque: Pikërisht për shkak të këtyre statistikave, duhet që në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave të përqendrohemi veçanërisht që përmasat e problemit të bëhen të dukshme, por edhe sfidat me të cilat përballemi, në mënyrë që të bëjmë përparim të vërtetë.
Sipas të dhënave që kemi sot, në një raport të përbashkët të publikuar nga UN Women dhe UNODC, çdo dhjetë minuta një grua vritet në nivel global, që do të thotë se gjatë vitit 2023 janë vrarë me qëllim 85.000 gra. Kur themi “me qëllim”, nënkuptojmë se ka pasur një dimension gjinor dhe diskriminim që i ka motivuar ato vrasje, të cilat i quajmë femicide.
Mesatarisht, çdo ditë 140 gra dhe vajza humbasin jetën nga partneri ose një anëtar i familjes. Ajo që shohim në të gjithë botën është se nuk ka asnjë vend që e ka çrrënjosur plotësisht dhunën ndaj grave. Po ashtu, kjo lloj dhune është shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në botë, por edhe më e pranueshmja, me një shkallë të lartë tolerance në shoqëri.
Kjo është një nga fushat që duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë. Të dhënat tregojnë se pothuajse çdo e treta grua ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale.
Për shembull, kur shikojmë vajzat dhe adoleshentet që janë në rrezik nga dhuna e partnerit intim, shohim se, kur mbushin 19 vjeç, pothuajse çdo e katërta adoleshente, ose 24% e tyre që kanë qenë në një lidhje, tashmë kanë përjetuar abuzim fizik, seksual ose psikologjik nga partneri.
Të gjitha këto forma dhune që ndodhin herët në jetën e vajzave lënë pasoja të shumta gjatë jetës së tyre.
Është shumë e rëndësishme të theksohet se këto nuk janë thjesht statistika pa fytyrë. Kur flasim për këto shifra, dimë se pas tyre qëndrojnë jetë të mijëra grave, profesionisteve e vajzave që ëndërrojnë të përfundojnë shkollimin dhe të bëhen çfarë dëshirojnë.
Gjithashtu, është e rëndësishme të përmendim se kjo ditë ndërkombëtare shënohet në një moment shumë të rëndësishëm për angazhimin global për barazinë gjinore.
Këtë vit shënojmë 30 vjet nga marrëveshja më gjithëpërfshirëse që Kombet e Bashkuara kanë miratuar për të drejtat dhe fuqizimin e grave, Platforma e Veprimit e Pekinit. Vitin e ardhshëm shënojmë gjithashtu 25 vjet nga një rezolutë e rëndësishme e Këshillit të Sigurimit për gratë, paqen dhe sigurinë. Prandaj, kur këtë vit shqyrtojmë dhunën ndaj grave, duhet t’u referohemi premtimeve që ende nuk i kemi përmbushur për gratë dhe vajzat.
Radio Evropa e Lirë: Cilët janë faktorët që shpjegojnë pse ende përballemi me këtë problem të përhapur dhe me këtë shkelje të të drejtave të njeriut?
Sanz Luque: Së pari, duhet të kuptojmë se dhuna ndaj grave nuk ndodh në vakum. Gratë dhe vajzat përballen me dhunë për shkak të pabarazive të forta gjinore në pushtet. Gratë dhe vajzat nuk i kanë të njëjtat mundësi si burrat dhe djemtë në shoqëri. Vajzat ende përballen me shumë sfida për të përfunduar arsimin, për të marrë pjesë në jetën publike ose në ekonomi.
Fakti që gratë dhe burrat nuk i kanë të njëjtat mundësi në shoqëri ndikon në mënyrën se si vajzat dhe gratë jetojnë jetën e tyre dhe i bën ato të prekshme ndaj dhunës, vetëm sepse janë gra. Këto pabarazi strukturore janë një dimension kyç për të kuptuar dhe shpjeguar problemin.
Përveç kësaj, ekzistojnë korniza ligjore dhe politike të pamjaftueshme. Kemi dëshmi që tregojnë se në vendet ku ekziston legjislacion i fortë që e përcakton dhunën ndaj grave si krim dhe ligjet zbatohen, dhuna ndaj grave zvogëlohet. Edhe pse kemi gjithnjë e më shumë korniza ligjore të përafruara me standardet ndërkombëtare, shumë vende ende nuk i mbulojnë të gjitha format e dhunës ndaj grave. Për shembull, dhuna në botën digjitale ende nuk është përfshirë sa duhet në legjislacion. Shumë vende nuk kanë ligje për femicidin.
Së treti, kemi zbatimin e dobët të kornizave institucionale për qasjen në shërbime për gratë. Gratë që janë viktima të dhunës kanë vështirësi për të pasur qasje në shërbime, qofshin ato shëndetësore, ligjore ose mbrojtëse. Kjo çon në mungesë të besimit të grave ndaj institucioneve. Duhet të sigurojmë që institucionet dhe shërbimet të jenë pranë grave dhe të ndjeshme ndaj dallimeve gjinore, në mënyrë që gratë të trajtohen me respektin që meritojnë.
Së katërti, dhuna në hapësirën digjitale kërkon një qasje të veçantë. Kjo dhunë pasqyron atë që ndodh jashtë botës digjitale, por merr forma të ndryshme. Është e nevojshme të sigurohemi që kjo dhunë të bëhet e dukshme dhe që gratë të mbrohen në hapësirën digjitale.
Së fundmi, është ndikimi i krizave mbi gratë. Dëshmitë tregojnë se në kohë konflikti, lufte ose katastrofash natyrore, dhuna ndaj grave që ekzistonte para krizës përshkallëzohet, duke i bërë gratë edhe më të cenueshme. Pandemia COVID-19 e rriti dhunën ndaj grave, dhe e njëjta gjë ndodh gjatë katastrofave natyrore dhe luftërave në të gjithë botën.
Në fund, po përballemi me rezistencë ndaj barazisë gjinore, regres në politikat e barazisë gjinore për shkak të dezinformimit dhe keqpërdorimit të parimeve të barazisë gjinore. Shohim tendenca për të rishikuar përparimin e bërë në barazinë gjinore dhe ligjet që mbrojnë gratë. Kjo ndikon negativisht te gratë, dhe prandaj duhet të sigurohemi që nuk ka hapësirë për regres.
Radio Evropa e Lirë: Sa i përket dhunës ndaj grave, vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore ndoshta kanë probleme të ndryshme në fokus. Nga martesat e fëmijëve, dhuna, vrasjet, deri te pjesëmarrja e ulët në politikë, por aspekti gjinor është në rrënjë të gjithçkaje. A ka mënyra të ngjashme se si vendet i përgjigjen dhunës ndaj grave?
Sanz Luque: Ajo që shohim në të gjithë rajonin është një angazhim i rëndësishëm për t’i përmirësuar kornizat normative për t’iu përgjigjur dhunës me bazë gjinore. Gjithnjë e më shumë vende e përcaktojnë dhunën ndaj grave si një krim që dënohet dhe sigurojnë qasje në ligje për t’i mbrojtur gratë.
Po ashtu, shohim që gjithnjë e më shumë vende në Evropë njohin dhunën ndaj grave dhe vajzave që ndodh përmes teknologjisë si një fushë që kërkon vëmendje dhe rregullim të veçantë.
Shohim, gjithashtu, që vendet po bëjnë përpjekje për të parandaluar martesat e hershme, që ne i quajmë martesat e fëmijëve, në mënyrë që vajzat të kenë të drejtat e tyre dhe të mund të vendosin vetë kur të martohen ose të hyjnë në një partneritet si të rritura.
Në disa vende, theksi vihet edhe te pëlqimi. Kjo është një temë shumë e rëndësishme që po shfaqet gjithnjë e më shumë në shumë vende dhe ka të bëjë me atë që, qoftë në sferën private apo publike, gratë dhe vajzat duhet të japin pëlqimin e tyre për çdo marrëdhënie seksuale. Pëlqimi është thelbi i të drejtave tona si gra, duke përfshirë të drejtat seksuale dhe riprodhuese.
Në këtë kontekst, ekziston një prirje për t’i trajtuar këto forma të ndryshme të dhunës në rajon.
Megjithatë, të dhënat që kemi tregojnë se ende jemi shumë larg vendit ku duhet të jemi. Për shembull, në vitin e fundit në Evropë dhe Azinë Qendrore, 24 milionë gra dhe vajza kanë përjetuar një formë të dhunës fizike ose seksuale nga partnerët e tyre.
Në vende si Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia, 45 për qind e grave kanë përjetuar ngacmime seksuale, përfshirë edhe ngacmimet në internet. Në ato vende, gjithashtu është raportuar se 60 për qind e grave që kanë qenë në një marrëdhënie intime kanë përjetuar dhunë psikologjike. Të dhënat tregojnë se nivelet e dhunës mbeten shumë të larta.
Sa u përket sfidave specifike, me të cilat përballet rajoni, duke përfshirë luftën në Ukrainë, shohim se format dhe llojet e dhunës ndaj grave po përkeqësohen.
Për shembull, këtë vit në Ukrainë është vlerësuar se rreth 2.5 milionë njerëz, kryesisht gra dhe vajza, kanë nevojë për shërbime dhe ndihmë të lidhur me dhunën me bazë gjinore. Ky është një problem që shfaqet në konflikte dhe luftëra, ku dhuna seksuale mund të përdoret si armë lufte. Duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë mbrojtjes së grave në situata konflikti.
Gjithashtu, 64 për qind e grave që janë vrarë me qëllim në Evropë, janë vrarë, me shumë mundësi, nga partnerët e tyre, ndërsa në Amerikë kjo përqindje është 58. Në pjesën tjetër të botës, gratë dhe vajzat zakonisht vriten nga anëtarët e familjes – rreth 59 për qind.
Sa i përket rajonit, shohim që kornizat ligjore në shumë vende janë përforcuar ndjeshëm. Disa nga shembujt e këtij përforcimi përfshijnë ligjet kundër dhunës në familje, ligjet kundër ngacmimeve seksuale, përfshirë ngacmimet në vendin e punës, si dhe ligjet kundër dhunës digjitale. Vendet kanë zhvilluar plane kombëtare të veprimit dhe politika për të luftuar dhunën me bazë gjinore, shpesh duke përdorur një qasje multisektoriale që përfshin sektorin shëndetësor, drejtësinë, shërbimet sociale dhe mbrojtjen.
Në këtë kontekst, Konventa e Stambollit e Këshillit të Evropës ka qenë një mjet shumë i rëndësishëm për ta arritur këtë përparim në rajon. Kemi parë gjithashtu investime të rëndësishme në përmirësimin e shtëpive të sigurta, linjave telefonike të ndihmës dhe mbështetjes për viktimat si një strategji e zakonshme e shumë vendeve./ REL
E-Diaspora
-
Bajram Shillova përballë flakëve: guximi që shpëtoi një jetë Në Schattdorf të Kantonit Uri, reagimi i menjëhershëm i një qytetari bëri dallimin mes jetës dhe... -
Shoqata ‘Iliria München’ shënon 25-vjetorin me muzikë dhe traditë -
Hektor Krasniqi, futbollisti që la Austrinë për të ndërtuar ëndrrën e tij në Kosovë -
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit
Jeta në Zvicër
-
Numër rekord i mysafirëve në Zvicër gjatë vitit 2025 Turizmi i Zvicrës pret një vit rekord për qëndrimet me netë nga mysafirët e huaj në... -
Takimi përmbyllës vjetor i koordinimit të misionit diplomatiko-konsullor shqiptar në Zvicër -
Zvicra shënon vitin e katërt më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë -
Sot pritet të jetë dita më e ngarkuar në aeroportin e Cyrihut -
Rreth 300 mijë persona në Zvicër heqin dorë nga ndihma sociale nga frika e humbjes së lejes së qëndrimit













