Opinione

CEFTA – një kontratë ndërkombëtare që çalon?

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim para pak ditëve për t‘u vënë taksë doganore produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Nga institucionet e BE-së dhe mediat e huaja ky veprim u kualifikua si shkelje e marrëveshjes së CEFTA-s. Kjo pikëpamje kaq e thjeshtë e këtyre mediave nuk është e mjaftueshme për një kualifikim të tillë.

Është e vërtetë që CEFTA kërkon të mos vendosen/rriten taksa doganore dhe të hiqen pengesat tregtare në mes të anëtarëve të CEFTA-s. Në CEFTA participojnë Shqipëria,  Maqedonia, Mali i Zi, Moldavia, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova. Por, cila Kosovë? Në vitin 2006 CEFTA u nënshkrua nga UNMIK-u «United Nations Interim Administration Mission in Kosovo an behalf of Kosovo». Nga atëherë Kosova u emancipua në «Republika e Kosovës» dhe shumica e vendeve e njohin Republikën e Kosovës si shtet sovran.

Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina refuzojnë njohjen e Republikës së Kosovës. Jo vetëm kjo. Mallrat/produktet nga Republika e Kosovës, të cilat si vend të origjinës e kanë të shkruar «Republika e Kosovës», nuk mund të eksportohen në këto dy vende. Këto ndalesa faktike të eksportit e shkelin marrëveshjen e CEFTA-s, por vetëm nëse kjo marrëveshje vlen në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Për interpretimin e kontratave të të drejtës ndërkombëtare vlen normalisht neni 31 i Konventës së Vjenës për të drejtën e kontratave. Kjo rregull dëshiron të hulumtojë përmbajtjen e vërtetë të kontratave. Gjithashtu CEFTA e sheh në rast të diferencave në interpretimin e saj një procedurë për rregullimin e këtyre mosmarrëveshjeve. Por, në këtë rast nuk janë interpretimet në debat. Pyetja është më shumë, cilat janë palët e marrëveshjes së CEFTA-s?

Në mes të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Moldavisë dhe Kosovës duket që raporti kontraktual të jetë i qartë, për këtë arsye nuk vendosen taksa doganore si ato kundër Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Sjelljet e institucioneve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, të cilat në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s e ndalojnë importin e mallrave nga Republika e Kosovës, janë indicie që këto dy shtete nuk dëshirojnë që marrëveshja e CEFTA-s të vlejë edhe për Republikën e Kosovës. Siç po duket qartë, ekziston një marrëveshje, e cila çalon («legal relationship which is different by different legal systems»). Përderisa nga pikëpamja e institucioneve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, CEFTA në raport me Republikën e Kosovës është në gjendje të tillë, atëherë taksat doganore të rritura para disa ditëve për import të mallrave nga këto dy vende duket të qëndrojnë në lirinë sovrane të Republikës së Kosovës.

Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina e kanë vetë në dorë që me një nënshkrim me «penë» t‘i normalizojnë marrëdhëniet me Republikën e Kosovës. Kush nuk dëshiron marrëdhënie të normalizuara, nuk duhet të ankohet për taksa doganore.