Lajme

Çmimet në Migros dhe Coop nën lupë: A po mashtrohen konsumatorët nga etiketimet

Autoritetet zvicerane kanë ndërmarrë veprime ndaj zinxhirit të supermarketeve Migros, pas shqetësimeve për mënyrën e paraqitjes së çmimeve, e cila mund të jetë në kundërshtim me rregullat për transparencë. Edhe disa etiketime në Coop janë vlerësuar si kufitare dhe potencialisht ngatërruese për konsumatorët.

Një investigim i emisionit “A Bon Entendeur” i RTS ka zbuluar se në disa raste çmimet e paraqitura me shkronja të mëdha vlejnë vetëm për blerje me shumicë (p.sh. 2–4 produkte), ndërsa çmimi për njësi është i vendosur me shkronja shumë të vogla dhe vështirë i lexueshëm, transmeton albinfo.ch.

Në Coop, është vënë re se çmimi kryesor i dukshëm nuk përfaqëson çmimin real për një produkt të vetëm. Ndërkohë, në Migros situata paraqitet edhe më problematike: çmimi për njësi jo vetëm që është i vogël, por shpesh është edhe i kaluar me vijë, duke e bërë pothuajse të palexueshëm. Çmimi i theksuar është i vlefshëm vetëm në rast të blerjes së disa produkteve njëherësh.

Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO), institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e rregullave të çmimeve, ka vlerësuar se praktikat e Migros nuk janë në përputhje me rregulloren përkatëse dhe ka nisur diskutime me kompaninë për ta korrigjuar situatën. Për Coop, vlerësimi është se ndodhet në kufijtë e lejueshëm.

Një tjetër rast i raportuar lidhet me një etiketim promocional për karkaleca deti, ku çmimi “me zbritje” ishte i njëjtë me çmimin normal. Coop e ka cilësuar këtë si një gabim njerëzor pa qëllim mashtrimi dhe ka njoftuar se janë marrë masa për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla.

Rasti ka ngritur shqetësime mbi qartësinë dhe transparencën e çmimeve në supermarkete, duke theksuar nevojën për etiketime më të kuptueshme për konsumatorët.