Lajme

Çmimi i naftës në Gjermani arrin nivel rekord

Sipas të dhënave të ADAC, një litër naftë në Gjermani kushtoi mesatarisht 2,327 euro, duke kaluar rekordin e mëparshëm të vitit 2022.

Çmimet e karburanteve në Gjermani kanë arritur një nivel rekord historik. Sipas të dhënave të publikuara nga ADAC (Klubi Gjerman i Automobilave), çmimi mesatar ditor i një litri naftë në të gjithë vendin arriti dje në 2,327 euro, përcjell albinfo.ch.

Ky çmim është 0.6 centë më i lartë se rekordi i mëparshëm i regjistruar në mars të vitit 2022. Ndërkohë, edhe çmimi i benzinës ka mbetur në nivele të larta: një litër Super E10 kushtonte mesatarisht 2,129 euro.

Rritja e çmimeve të karburanteve lidhet me shtrenjtimin e energjisë në nivel global, që është ndikuar nga tensionet dhe lufta në Iran.

Ndërkohë, autoritetet kanë vendosur një rregull të ri për tregun e karburanteve: që nga dita e djeshme, stacionet e benzinës në Gjermani mund të rrisin çmimet vetëm një herë në ditë, një masë që synon të kufizojë luhatjet e shpeshta të çmimeve dhe të rrisë transparencën për konsumatorët./Albinfo.ch