Integrimi
Debat për letërsinë “në kohën e kolerës”
“Pavarësisht se nuk kanë pretendime për të qenë artistë kulminantë, krijuesit në mërgatë meritojnë trajtim më të mirë”, u tha në debat
Për cilësinë e artit të krijuesve shqiptarë në Zvicër, sigurisht që mund të diskutohet. Por për nivelin e organizimit të tyre, dhe për trajtimin që gëzojnë, nuk ka dilemë. Janë të barabarta me zero.
Një përshkrim i tillë, marrë përmbledhtazi, doli nga në një tryezë debati që u mbajt të dielën në Glatbrugg. Bashkëbisedimi u iniciua nga shoqata „Gjilani“ e Cyrihut. Ky organizim kishte në vete diçka sfiduese. Po mbahej pikërisht në ditën kur, në salla të mëdha, gjithandej në Zvicër, dyndeshin qindra vizitorë për të festuar ditën e pavarësisë së Kosovës. Me këngë e valle të “SHKA-ve” tona, sigurisht.
Krejtësisht ndryshe ishte në Glatbrugg. Një grusht njerëzish, krijues dhe dashamirës të artit, në një kënd të sallës së një klubi të tetovarëve, zhvillonin një debat mbi pozitën e krijuesit artistik letrar në diasporë. Gjë e rrallë dhe me diçka surrealiste në vetë paraqitjen e saj kjo pamje. Debati kishte një të përbashkët: pakënaqësinë e përjetshme të krijuesve me trajtimin e punës së tyre.
Fatmir Salihu, krijues letrar, në emrin e organizatorit dhe iniciuesit të tryezës, theksoi se mbi 50 krijues shqiptarë në Zvicër dhe kanë libra të botuar, ndjehen të injoruar nga rrethi ku jetojnë. Atyre nuk u jepet hapësirë për shprehjen e artit të tyre. Pavarësisht faktit se nuk kanë pretendime për të qenë artistë kulminantë, ata meritojnë më shumë vëmendje dhe trajtim më të mirë, tha Salihu. Piktori Gani Bytyçi, përshëndeti këtë bashkëbisedim të cilin e quajti “ftesë për ngjalljen e jetës artistike në mërgatë”. Lidhur me gjendjen e krijuesit shqiptar këtu, ai tha se ajo nuk bën përjashtim nga gjendja jonë në të gjitha fushat. Gjithandej kemi rënie të vlerave. Bytyçi më tej theksoi se krejtësisht ndryshe është trajtimi i artistit në mjedise tjera, si për shembull në Francë, ku ai është aktiv në qarqet artistike.
Prozatori Muharrem Blakaj u ankua se përderisa për aktivitete sportive dhe folklorike gjendet mbështetje nga bizneset, për letërsinë ose për artet pamore nuk mund të imagjinohet diç e tillë. Ai tha se po këtë trend po e ndjek edhe gazetaria, sidomos ajo vizive, të cilës nuk “i del hesapi” që të mbulojë aktivitetet artistike. Me trajtimin e pabarabartë që mediet u bëjnë aktiviteteve artistike u mor edhe publicisti Ibish Neziri.
Fehmi Berisha nënvizoi se para luftës të gjitha aktivitetet kanë qenë më të gjalla dhe të organizuara më mirë, ndërsa këto vitet e fundit gjithçka ka marrë tatëpjetën. Ndërsa Osman Osmani u mor me nevojën që niveli i organizimeve të jetë më i lartë. “Duhet të ketë formalizim, zyrtarizim të veprimtarive dhe të kërkohet përgjegjësi për mbarëvajtjen e tyre”, ka thënë ai. Mbase me fillimin e pritshëm të zbatimit të ligjit mbi mërgatën mund të vihen disa gjëra në vijë. Por, siç u shpreh ai dhe të tjerët, nuk duhet pasur shumë iluzione në këtë drejtim.
Si përfundim, të gjithë pjesëmarrësit lëvduan nismën për këtë bashkëbisedim. Ajo për ta ishte një ftesë që krijuesit dhe dashamirët e artit të mendojnë për një pikëtakim ku do të jenë së bashku dhe do të këmbejnë përvojat e tyre.
E-Diaspora
-
Miratohet unanimisht Marrëveshja për Tregti të Lirë të Kosovës me EFTA Me 190 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit të Zvicrës... -
Mustafa kritikon presidenten Osmanin për takimet me diasporën gjatë fushatës -
Slloveni
Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës -
Lir Hajrizi: Pianisti që po tejkalon kufijtë e talentit -
Mërgata do të votojë më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike, KQZ jep udhëzime për procesin
Jeta në Zvicër
-
Swisscom do të heqë plotësisht teknologjinë 3G deri në fund të vitit 2025 Siç ishte njoftuar më parë, operatori Swisscom do të ndërpresë përdorimin e teknologjisë 3G deri në... -
Marketingu i influencerëve në Zvicër: Praktika jo të rregulluara dhe të dëmshme për të rinjtë, paralajmëron FRC -
Zgjedhjet komunale në Vernier konfirmohen nga Këshilli i Shtetit -
Dyqanet në Gjenevë hapen këtë të diel -
Parlamenti i Zvicrës miraton unanimisht marrëveshjen për tregti të lirë të Kosovës me EFTA











