Lajme
“Dëgjova britmat e punëtorëve dhe pastaj sirenat”, si ndodhi aksidenti fatal në Vjenë
Britma dhe panik, dëshmitarët tregojnë si ndodhi tragjedia me 4 viktima në Vjenë
Një tragjedi e rëndë ka tronditur Vjenë të martën pasdite, ku katër punëtorë ndërtimi humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në lagjen Alsergrund, transmeton albinfo.ch.
Ngjarja ndodhi pak pas orës 14:00, në oborrin e një ndërtese banimi në rrugën Porzellangasse, në distriktin e 9-të. Sipas informacioneve, gjatë punimeve për betonimin në kuadër të zgjerimit të papafingos, një konstruksion u shemb papritur, duke rrëzuar të gjithë skelën bashkë me pesë punëtorët që ndodheshin mbi të, shkruan Kronen Zeitung.
Shembja fatale, punëtorët ranë nga lartësia dhe u mbuluan nga betoni
Sipas zjarrfikësve, struktura e sapo betonuar u rrëzua në mënyrë të menjëhershme, duke tërhequr me vete punëtorët drejt tokës. Tonelata betoni dhe materiale ndërtimi i zunë poshtë, duke i lënë të bllokuar nën rrënoja.
“Punëtorët që ndodheshin mbi këtë konstruksion të sapo betonuar ranë bashkë me skelën,” deklaroi zëdhënësi i zjarrfikësve, Martin Hofbauer.
Një banor i zonës, dëshmitar i ngjarjes, përshkroi momentet dramatike:
“Ishte një zhurmë shumë e fortë, pastaj dëgjova vetëm britmat e punëtorëve. Menjëherë pas kësaj u dëgjuan sirenat,” tha ai.
Operacion i vështirë shpëtimi mes rrënojave
Menjëherë pas shembjes, në vendngjarje mbërritën forca të shumta të emergjencës. Mbi 100 pjesëtarë të zjarrfikësve, policisë dhe ndihmës së shpejtë u angazhuan në një operacion të vështirë shpëtimi.
Terreni i rrezikshëm, me struktura të paqëndrueshme, pluhur dhe beton, e bëri ndërhyrjen shumë të vështirë. Në disa raste, ekipet e shpëtimit u detyruan të gërmonin edhe me duar për të arritur tek të bllokuarit.
Fillimisht pati shpresë për mbijetesë: një 45-vjeçar u nxor i gjallë pas rreth 90 minutash, por me lëndime të rënda në kokë, krahë dhe shtyllë kurrizore. Ai u dërgua menjëherë në spital në gjendje kritike.
Katër viktima dhe hetime në vazhdim
Fatkeqësisht, për katër punëtorët e tjerë çdo ndihmë erdhi vonë. Ata humbën jetën në vendngjarje, të mbuluar nga masat e betonit.
Ngjarjen e pa nga afër edhe një operator vinçi, i cili mbeti i bllokuar në kabinën e tij dhe u bë dëshmitar i gjithë tragjedisë nga lart.
Shkaqet e sakta të shembjes së konstruksionit ende nuk janë të qarta. Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa policia dhe inspektorati i punës po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. /Albinfo.ch
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kompozitori kosovar Ardian Gega prezantohet në Pragë me veprën “On the Edge of Silence” Artistë nga Kosova, Shqipëria dhe Republika Çeke u bashkuan në koncertin ndërkombëtar “Silent Eternum”... -
Venera prezanton Kosovën në kongresin botëror të endokrinologjisë në SHBA -
Nga Kosova në Michigan Law School, Ilir Hajraj arrin një sukses të rëndësishëm akademik -
Përfundon numërimi i votave me postë, LVV dominon me gati 73 për qind të mbështetjes -
Gjithçka gati për edicionin jubilar të Alba Festival 2026 – Festivali më i madh shqiptar në Evropë
Jeta në Zvicër
-
Parlamenti zviceran mbështet verifikimin e të dhënave kriminale për lejet e qëndrimit për të huajt Senati i Zvicrës iu bashkua të mërkurën Dhomës së Përfaqësuesve në miratimin e një mocioni që... -
Zvicër: Gjykatën Administrative Federale kritikohet për procedurat e azilit -
Zvicër: Rriten rastet e dumping-ut të pagave në 2025, ndërsa puna e padeklaruar shënon rënie të lehtë -
Parlamenti zviceran miraton rritjen e TVSH-së për financimin e pensionit të 13-të të AVS -
Zbulohet rrjet trafiku ari mes Ticinos dhe Italisë, 230 kg ari të kontrabanduara në Zvicër












