Demonstratë kundër ashpërsimit të politikës ndaj të huajve

Organizatorët përkujtojnë qëndrimin e javës së fundit të parlamentarëve të Zvicrës për ashpërsimin e të drejtës së azilit

Të shtunën, më 23 qershor, në Bernë do të protestohet me moton “Stop politikës çnjerëzore të migracionit”. Mbrapa demonstratës, e cila mbahet në nivel të Zvicrës, krahas FIMM (Forumi për Integrim të Migrantëve), qëndrojnë rreth 80 organizata të tjera që mbrojnë të drejtat e të huajve në Zvicër.

Në thirrjen që organizatorët bëjnë për këtë demonstratë përkujtojnë qëndrimin e javës së fundit të parlamentarëve të Zvicrës për ashpërsimin e të drejtës së azilit.

“Politika e djathtë konservative e migracionit, prej vitesh nuk po shënon suksese dhe ajo mund të përkufizohet thjeshtë si një dështim. Dhe, përkundër kësaj, e vetmja përgjigje që jepet për cilëndo pyetje lidhur me politikën e migracionit vazhdon të mbetet: Frikësimi. Ne mbrohemi nga kjo, jemi të mllefosur dhe për këtë do të dalim në rrugë”, thuhet veç tjerash në thirrjen për pjesëmarrje në demonstratën e Bernës.

Grumbullimi për demonstratë fillon në orën 14. 30 në Schützenmatte, ndërsa parakalimi demonstrues rrugëve të qyetit të vjetër të Bernës mbahet nga ora 15.15 deri në orën 16.30. përmbyllja, në orën 16.30 në Bundesplatz.