Tematike

Dëmtohet skulptura e Sislej Xhafës në Cyrih

Nuk dihet nëse bëhet fjalë për vandalizëm ose dëmtimi ka ndodhur si pasojë e përdorimit të tepruar të luhatëses

Pak ditë pas përurimit, skulptura e artistit kosovar Sislej Xhafa në formë të shkronjës Y ka pësuar dëmtimet e para. Kështu shkruan tagesanzeiger.ch. Madje, nga e diela, sipas këtij portali, skulptura që duhej të ishe shenjë dalluese e këtij parku, është bllokuar për shkaqe sigurie dhe kështu, luhatësja aktualisht nuk u shërben fëmijëve për lojë.

Nuk dihet nëse bëhet fjalë për vandalizëm ose për dëmtime të paqëllimta. “Është shumë e mundur që dëmtimi ka ndodhur si pasojë e përdorimit të tepruar të luhatëses”, thotë udhëheqësi i projektit në Grün Stadt Zürich. Duke ndërtuar një objekt të tillë artistik, në këto përmasa, që ndriçon dhe që në çdo kohë është i disponueshëm për publikun, (qyteti) ka hyrë në një terren të panjohur”.

“Jetësimi iidesë së artistit ishte një sfidë e madhe me shumë kufiorime”, thotë Ammann. Nga ana tjetër, duke mos pasur dëshmi se mund të bëhet fjalë për ndonjë akt vandalist, Grün Stadt Zürich deri tash ka hequr dorë nga padia. Mirëpo policia është e informuar ndonëse nuk po zhvillon hetime.

Më tutje portali shkruan se me gjithë entuziazmin që kishte mbretëruar të premten e kaluar kur ishte bërë përurimi, nxënësit e shkollës së afërme nuk shprehen të kënaqur. Edhe ata thonë se dritat që lëshon skulptura natën janë të mrekullueshme por luhatësja është para së gjithash e rrezikshme.

Problemi, sipas tyre është te trari që pengon luhatësen të përplaset për trupin e skulpturës. Me rastin e luhatjes së fuqishme, ai që luihetet mund të rrezikojë të rrëzohet nga mbrapa.

Nga ana tjetër në Grün Stadt Zürich thonë se sigurisë i është kushtuar shumë rëndësi gjatë ndërtimit të skulpturës. “Objekti, para se të pranohej teknikisht është kontrolluar nga një person profesionist i paanshëm”, thotë Ammann. Sidoqoftë, sipas tij konstruktori, ndërmarrja Nüssli, edhe një herë duhet ta rishikojë dhe përshtatë atë.

Portali më tutje shton se skulptura, për shkak të materialit me të cilin është ndërtuar dhe për shkak se gjendet në hapësirë publike, është mjaft e brishtë dhe lehtë e dëmtueshme.

Ndërsa arkitekti Isa Hasani, njëri ndër realizuesit e idesë së artistit Xhafa, i pyetur nga albinfo.ch, rreth mundësisë që statika e objektit të ketë të meta, na tha se puna e grupit rreth Sislej Xhafa është vetëm e natyrës ideore dhe arkitektonike, ndërsa statika dhe materiali që do të përdorej ka qenë përgjegjësi e qytetit të Cyrihut, respektivisht e firmës ndërtuese që ka zgjedhur qyteti.