Lajme

Dënohet kosovari, dërgues i pakove: Vidhte mallrat që duhej t’i dorëzonte

Një dërgues i paketave, thjesht, e vendoste nënshkrimin e tij në formularin e faturës dhe i mbante pakot për vete: Dënohet me kusht

Një kosovar 38-vjeçar me banim në Aargau, i cili punonte për një shërbim të dërgimit të paketave, në gusht 2023, duhej të dorëzonte, ndër të tjera, 13 videolojëra me një vlerë totale prej 670 frangash në Media Markt, në Aarau. Por në vend që të dorëzonte pakon, i akuzuari i mbante për vete lojërat pasi falsifikonte nënshkrimin në fletëdorëzimin e tyre.

Vetëm një ditë më vonë, të akuzuarit do t`i duhej të dorëzonte sërish mallra në Media Markt. Këtë herë bëhej fjalë për 21 kufje Sony, tre telefona inteligjentë Samsung dhe 17 orë inteligjente, gjithashtu nga firma Samsung. Vlera totale: mbi 9000 franga. Ai falsifikoi sërish firmën dhe donte të linte përshtypjen se mallrat që i ishin besuar i kishte dorëzuar në Media Markt.

Ai kishte vjedhur gjithashtu shumë gjëra nga ambientet e punëdhënësit të tij midis fillimit të korrikut dhe fillimit të shtatorit. Me sa duket ai thjesht i merrte dërgesat, pa i skanuar ato, shkruan gazeta Aargauer Zeitung. Kështu ai merrte Blu-ray Player, kuti kamerash, pajisje kuzhine dhe aparate kafeje, altoparlantë, fritezë, dy printera, një kamerë për internet dhe një sërë artikujsh të tjerë.

Ai më vonë ka kthyer disa nga mallrat, ka shkruar prokurori publik në një urdhër penal që së fundmi është bërë ligjërisht i detyrueshëm.

Në fund të procesit gjyqësor kosovari u dënua për falsifikim të shumëfishtë dokumentesh, përvetësim të shumëfishtë dhe vjedhje të shumta, ndonjëherë edhe të imëta.

Gjoba prej 160 tarifash ditore prej 70 frangash i është shqiptuar me kusht, periudha e kushtit është katër vjet, transmeton albinfo.ch. Krahas gjobës prej 2800 frangash, ai duhet të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe shpenzime policore prej 1420 frangash.

Janë shtuar vjedhjet e dërgesave 

Edhe nëse ndodh që dërguesi të humbasë një paketë: në shumicën e rasteve kur malli nuk arrin në destinacion, bëhet fjalë për vjedhje. Kështu shkruan organizata për mbrojtjen e konsumatorit në udhëzuesin e saj online. Me rritjen e shpejtë të tregtimit online, vjedhja e paketave  është rritur gjithashtu masivisht dhe ndonjëherë ka arritur përmasa sistematike, shkruajnë ekspertët.

Sipas mbrojtjes së konsumatorit, dërguesi i një pakete është përgjegjës derisa t’i jetë dorëzuar një kompanie transporti për transport. Që atëherë, kompania e transportit është përgjegjëse deri në dorëzimin e saktë.

“Një dërgesë e saktë ndodh kur punonjësit e kompanisë së transportit e kanë vendosur paketimin në kutinë postare të shtëpisë për ku është destinuar paketa, përcjell albinfo.ch. Nëse pakoja është shumë e madhe, transportuesi (postieri) duhet ta marrë atë sërish me vete dhe të lërë një ftesë për ta marrë”, thotë udhërrëfyesi. Lënia e një pakete në hyrje ose shkallë nuk lejohet – përveç nëse marrësi ka rënë dakord për këtë. Pasi të dorëzohet paketa, marrësi është përgjegjës.